Kosova nënshkruan tri marrëveshje të rëndësishme me Suedinë për ekstradim dhe ndihmë juridike
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhium ka pritur të martën në takim sekretarin Shtetëror të Mbretërisë së Suedisë, Mikael Kullberg.
Pas takimit ministrja Haxhiu dhe sekretari Kullberg kanë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bashkëpunimit juridik – ndërkombëtar në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë.
Republika e Kosovës është Shteti i parë në Ballkan që lidhë marrëveshje të tilla bashkëpunimi me Mbretërinë e Suedisë.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se ky akt është edhe një hap tutje në avancimin dhe thellimin e partneritetit dhe bashkëpunimit në mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë në fushën juridike ndërkombëtare.
Marrëveshja e parë, përkatësisht ajo për Ndihmë Juridike të Ndërsjellë në Çështjet Penale synon krijimin e një baze ligjore dypalëshe që do të thellojë bashkëpunimin dhe do të harmonizojë procedurat për ndihmë juridike mes dy vendeve, duke garantuar një bashkëpunim më efektiv.
Në anën tjetër, marrëveshja për ekstradim përmban rregullime të hollësishme për procedurat që do të ndiqen nga momenti i parashtrimit të kërkesës për ekstradim deri në dorëzimin e personit të ekstraduar, në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pasqyron praktikat më të mira evropiane për trajtimin e kërkesave për ekstradim.
Ndërsa, marrëveshja për transferimin e personave të dënuar me Qeverinë e Mbretërisë së Suedisë, mes tjerash, ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe rehabilitimin social të personave të dënuar, duke lejuar transferimin e tyre për ekzekutimin e dënimeve në shtetin e vendbanimit të përhershëm.