Kosova nesër përballet me Islandën
Përfaqësuesja Kosovës në basketboll të shtunën do të përballet me Islandën, në takimin që zhvillohet në Bratislavë nga ora 16:00.
Ky takim zhvillohet në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.
Kosova dhe Islanda ishin ballafaquar edhe në Prishtinë, ku fitore kishin shënuar Dardanët me rezultat 80:78. Kosova hyn në këtë duel pas humbjes nga Sllovakia 91:67, derisa Islanda pas fitores ndaj Luksemburgut 90:76.
Në Grupin B, Sllovakia, Islanda dhe Kosova kanë grumbulluar nga pesë pikë, kurse Luksemburgu ndodhet e fundit me tri pikë. Edhe në ndeshjen e së shtunës, Dardanët do të kenë disa mungesa, megjithatë, përkundër vështirësive, basketbollistët e Kosovës premtojnë angazhim maksimal. Në ndeshjen tjetër të grupit, Sllovakia e pret Luksemburgun, që zhvillohet nga ora 19:00.
Kosova ndeshjet e fundit në grup do t’i ketë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, ku do të përballet me Sllovakinë dhe Luksemburgun.