Kosova nis bisedimet për sigurim të vaksinës kundër Koronës
Kosova ka nisur negociatat me partnerët ndërkombëtarë që veprojnë në fushën e shëndetësisë si, Agjencinë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për ta siguruar vaksinën kundër koronavirusit në momentin kur një vaksinë e tillë prodhohet dhe kualifikohet për përdorim te njerëzit, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.
Aktualisht në botë janë duke u zhvilluar mbi 100 vaksina potenciale kundër koronavirusit. Njëzetenjë vaksina janë në fazën e provave klinike dhe të gjitha vendet po përpiqen t’i sigurojnë ato.
Vendet më të vogla dhe të varfra në përgjithësi përpiqen të sigurojnë vaksinën përmes skemave të përbashkëta ndërkombëtare, siç është COVAX, e udhëhequr nga OBSH-ja, Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI) dhe Gavi (Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin).
Deri më tani, 90 vende të varfra i janë bashkuar këtij projekti, dhe 75 të pasura kanë shprehur qëllimin e tyre për ta financuar atë. Sipas OBSH-së, këto shtete së bashku përbëjnë 60 për qind të popullatës botërore.
Kjo iniciativë synon të dërgojë në vendet pjesëmarrëse 2 miliardë doza të vaksinës që miratohet kundër sëmundjes COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi, deri në fund të vitit 2021.
Sidoqoftë, ende nuk ka një vaksinë të aftë për të mbrojtur miliarda njerëz, njëherësh për t’i dhënë fund pandemisë së COVID-19, që ka marrë më shumë se 650 mijë jetë njerëzish.
Paralajmërimet janë që një vaksinë e tillë mund të dalë në fund të këtij viti.
Zëdhënësi i Ministrinë së Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Faik Hoti, tha se janë duke punuar në drejtim të sigurimit të vaksinës kundër COVID-19, në momentin kur ajo të zbulohet. “Ministria e Shëndetësisë është duke bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë që veprojnë në fushën e shëndetësisë (OBSH dhe UNICEF) në mënyrë që në momentin që vaksina prodhohet dhe kualifikohet për përdorim te njerëzit, të mund të sigurohet për mbrojtje të qytetarëve të Kosovës nga COVID-19”, thotë Hoti për REL.
Numri i vaksinave, shton Hoti, do të tentohet të jetë sa më i madh në mënyrë që në rast të një vaksinimi eventual të mbulohet secila kategori e popullatës që bie në grupet e rrezikut. Sipas tij, në grupet e rrezikuara hyjnë: të sëmurët kronikë, personat e moshuara, gratë shtatzëna dhe kategoritë tjera që janë më të ekspozuara ndaj virusit, përfshirë këtu edhe personelin shëndetësor.
Sa iu përket mjeteve financiare, të cilat do të ndahen për vaksinën COVID 19, apo për çështjet tjera që përfshihen në planin e vaksinimit, Hoti thotë se këto janë detaje teknike dhe pasi që ende është faza kur nuk është zbuluar kjo vaksinë, duhet pritur që të jepen më shumë detaje. “Planet e vaksinimit zakonisht diskutohen me partnerët siç është OBSH dhe UNICEF dhe praktikat nga vitet mëhershme, sidomos nga viti 2009, na kanë mësuar që Kosova edhe në atë kohë vaksinën kundër virusit A-H1N1, i njohur si gripi i derrave, i pati siguruar përmes këtyre rrugëve, pra përmes partnerëve që janë organizata të njohur që veprojnë në nivel ndërkombëtar në fushën e shëndetësisë”, thotë Hoti.
Deri më tani, shton Hoti, partneriteti me organizatat ndërkombëtare si UNICEF dhe OBSH ka qenë stretegjik.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti më 5 korrik pati thënë se Ministria e Shëndetësisë obligohet që të ndajë buxhet të nevojshëm për blerjen e vaksinës eventuale kundër COVID-19, në përputhje me protokollet e Komisionit Evropian dhe OBSH-së, kurdo që ajo të jetë e gatshme.
Popullsia amerikane do ta marrë vaksinën falas.
Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia nuk kanë treguar interes për skemën, siç është COVAX.
Ndërkohë, këto vende, sikurse edhe Bashkimi Evropian dhe India, po përpiqen të zhvillojnë në mënyrë të pavarur një vaksinë ose të lidhin marrëveshje me kompanitë farmaceutike, në mënyrë që të sigurojnë furnizimet e nevojshme për nevojat e tyre, të cilat, sipas ekspertëve, lënë pas dore ato globale.
Shtetet e Bashkuara kanë porositur 100 milionë doza të vaksinës potenciale kundër koronavirusit.
Kur është fjala tek shtetet e rajonit, me 31 korrik Kroacia ka konfirmuar zyrtarisht gatishmërinë e saj për të lidhur një marrëveshje me Komisionin Evropian për blerjen e një vaksine kundër sëmundjes COVID-19.
Siç ka njoftuar ministri kroat i Shëndetësisë, Vilki Berosh, me këtë marrëveshje, vendet anëtare të BE-së do të autorizonin Komisionin Evropian që të lidhë marrëveshje të mëparshme me prodhuesit e vaksinave për blerjen e vaksinave.
Kroacia gjithashtu disa ditë më parë nënshkroi një para-marrëveshje për blerjen e një milion e gjysmë dozave të vaksinës së re me një kompani farmaceutike, kur ajo të dalë në treg.
Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq me 15 korrik njoftoi se po zhvillohen bisedime me një vend i cili, siç tha ai, ka përfunduar vaksinën kundër COVID-19 dhe që “vaksinon popullatën e rrezikuar”. Ai ka shtuar se po shpreson se Serbia mund ta ketë atë vaksinë para fundit të vitit.