Kosova nuk duhet ta harrojë aleatin e saj të vërtetë, Amerikën
Shkruan: Liridon Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje
Jam detyruar ta lë vendin tim për shkak të angazhimeve të mia politike nga problemet që kam pasur me kundërshtarët e mi politikë dhe një konflikt gjakmarrje dhe gjithmonë kam shpresuar se Kosova do të kalonte provën e saj dhe të arrinte të ndërtojë një sistem demokratik dhe ta luftonte korrupsionin gjë të cilën qeveritë e krahut të luftës kanë dështuar të bëjnë në Kosovë.
Nuk deshiroj që edhe LVV-ja ta ketë të njejtin rezultat, por faktet flasin ndryshe. Janë bërë pothuajse një vit që kur LVV-ja i fitoi zgjedhjet parlamentare dhe situata vazhdon të jetë e rënduar në Kosovë. Reformat e premtuara në shëndetësi, drejtësi, polici dhe ekonomi për të ndërtuar një shtet ligjor, jo politik, dhe për të bërë një ekonomi të qëndrushme të tregut kanë ngelur vetëm premtime. Pandeshkueshmëria e krimit dhe korrupsionit në Kosovë vazhdon si më parë dhe kjo më ka zhgënjyer shumë dhe shpresa ime ngelet të Gjykata Speciale Ndërkombetare në Kosovë pasi autoritetet e Kosovës kanë dështuar të vendosin drejtësi në Kosovë. Por ajo që më shqetëson më shumë është se qeveria e LVV-së nuk ka qenë në gjendje që të jetë një partner serioz me partnerët tanë ndërkombëtarë duke vazhduar të mbajë qëndrime radikale dhe tani se fundi lexova se Qeveria e Albin Kurtit nuk pranoi marrëveshjen me Qeverinë Amerikane për gazin në kohën kur Kosova ka nevojë për energji të pastër dhe jo ndotjen që i vjen nga përdorimi i qymyrit si burim energjie, por mbi të gjitha ky qëndrim vjen kundër aleatit tonë strategjik Amerikës që solli fitoren në Kosovë dhe ne nuk mund të harrojmë kështu mikun tonë të vërtetë Amerikën. I bëj thirrje qeverisë së LVV-së që të rishikojë qëndrimin e vet dhe të gjejë gjuhën e kompromisit me Amerikën dhe të mbajë premtimet e saj për të ndëshkuar krimin dhe korrupsionin e njerëzve të krahut të luftës që sot janë të pushtetshëm dhe të përfaqësuar në partitë politike, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe të vendos një shtet ligjor ku ndeshkohen kriminelët dhe të vendoset siguria si dhe t’ua japë shpresën të rinjve në Kosovë duke zhvilluar ekonominë, për të hapur vende të punës dhe të krijojë progres e mos të krijojë konflikte të panevojshme me ndërkombëtarët, përndryshe Qeveria e LVV-së dhe vet LVV-ja do të izolohet dhe do të humbas mbështetjen e saj brenda dhe jashtë Kosovës.