Kosova nuk e ka luksin ta kushtëzojë BE-në
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, nuk beson se Kosova është në pozicion që ta kushtëzojë dialogun Kosovë – Serbi me procesin e liberalizimit të vizave. Ai ka thënë se sado që mosdhënia e liberalizimit të vizave ndikon në zbehjen e besimit të qytetarëve të Kosovës në vlerat e BE-së, Kosova nuk e ka luksin që ta kushtëzojë BE-në. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Gashi ka bërë me dije se BE-ja tanimë nuk e ka asnjë argument që ta refuzojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. “Kosova nuk e ka shumë luksin të kushtëzojë, sado që mosdhënia e liberalizimit ndikon në zbehjen e besimit të kosovarëve në vlerat e proklamuara humane të BE-së. Në fakt, BE-ja e ka humbur argumentin për mosliberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë Gashi.
Ai ka treguar se edhe nëse të gjithë qytetarët e Kosovës do të lëviznin nëpër Zonën Shengen nuk do të ndryshonte asnjë ekuilibër brenda BE-së. “Ajo ka futur në gjirin e vet, përmes liberalizimit, dhjetëra miliona ukrainas dhe moldavianë dhe po pengon, pa ndonjë arsyetim të argumentuar, 1.5 milion kosovarë, të cilët, edhe po të lëviznin të gjithë drejt BE-së, nuk do ta ndryshonin shumë asnjë ekuilibër brenda BE-së”, është shprehur Gashi, duke shprehur skepticizëm se Kosova këtë vit do të ketë ndonjë vendimmarrje rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sipas tij, arsyet e disa vendeve skeptike janë të paqëndrueshme. “Ndonjë arsyetim shumë të qëndrueshëm për mosheqjen e vizave ndaj kosovarëve nuk e kemi dëgjuar nga Brukseli. Janë, si duket, shtetet e zhvilluara të Evropës të cilat janë sfiduar nga emigracioni dhe vala e refugjatëve të cilat prolongimin e liberalizimit të vizave për kosovarët e shohin në funksion të përballimit të kësaj sfide që, për mendimin tim, është arsyetim i paqëndrueshëm. Edhe forcimi i të djathtës në disa shtete të fuqishme të BE-së mund të interpretohet si arsye për ngadalësimin, madje edhe pengimin e liberalizimit për kosovarët”, është shprehur Gashi.
Në këtë intervistë, Gashi ka folur edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në ceremoninë e 100-vjetorit të mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Duke folur për privilegjin që protokolli francez i kishte bërë presidentit Thaçi në këtë ceremoni, duke e vendosur të ulet pranë liderëve të shteteve më të fuqishme të botës, Gashi ka thënë se ishte një trajtim i rëndësishëm që iu bë Kosovës me këtë rast. “Është çështje ekskluzive e protokollit të shtetit pritës të cilën unë nuk mund ta komentoj, edhe për faktin se nuk kam ndonjë informacion më shumë dhe nuk dua të spekuloj. Sigurisht se një trajtim i tillë i presidentit Thaçi është i rëndësishëm për shtetin që ai përfaqëson, pra Kosovën”, ka thënë Gashi.
“Epoka e re”: Profesor, Kosova ishte pjesë e ceremonisë së 100-vjetorit të mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Për më tepër, protokolli francez ishte kujdesur që presidenti Thaçi të ulet pranë liderëve të shteteve më të fuqishme të botës, derisa presidentin serb e kishte vendosur në anën tjetër të pjesëmarrësve, gjë e cila shkaktoi reagime të shumta në Serbi. Si njohës i historisë së diplomacisë, çfarë do të thotë për Kosovën një trajtim i tillë?
Gashi: Është çështje ekskluzive e protokollit të shtetit pritës të cilën unë nuk mund ta komentoj, edhe për faktin se nuk kam ndonjë informacion më shumë dhe nuk dua të spekuloj. Sigurisht se një trajtim i tillë i presidentit Thaçi është i rëndësishëm për shtetin që ai përfaqëson, pra Kosovën.
“Epoka e re”: Gjatë qëndrimit në Paris presidenti Thaçi është takuar me liderët më të fuqishëm botërorë, por takimi që zgjoi reagim të madh në Kosovë ishte ai me presidentin rus, Vladimir Putin. Si e keni parë këtë takim?
Gashi: Sigurisht se në ngjarje të tilla të rëndësishme, ku ka pjesëmarrje të gjerë të liderëve botërorë, ekzistojnë mundësitë për të takuar burrështetas, përfshirë edhe liderë të fuqishëm botërorë. Dua të besoj se ato takime të presidentit Thaçi kanë qenë pjesë e agjendës së tij protokollare gjatë rrjedhës së kësaj ngjarje të madhe në Paris, pra të shënimit të 100-vjetorit të mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Nuk mund të them nëse ka qenë i paraparë edhe takimi me presidentit Putin.
“Epoka e re”: Në të gjitha këto takime, sipas presidentit Thaçi, është konfirmuar mbështetja për një marrëveshje të mundshme Kosovë – Serbi. A do të thotë se me këtë përkrahje Kosova do ta ketë më lehtë fazën finale të dialogut me Serbinë?
Gashi: Është vështirë të konstatohet se nga këto takime kemi një mbështetje koncensuale ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi. Tekefundit, gjerat nuk mund të ndodhin aq lehtë siç mund të thuhen. Ka një disonancë (zëra ndryshe) edhe brenda komunitetit ndërkombëtar lidhur me atë se çfarë do të përfshijë dhe si do të duket kjo marrëveshje.
“Epoka e re”: Këto ditë janë shtuar zërat se Kosova rrezikon ta marrë liberalizimin e vizave, madje edhe kancelari austriak gjatë vizitës në Prishtinë ka bërë me dije se disa vende të BE-së janë skeptikë për këtë proces. Cilat mendoni se janë arsyet e këtij skepticizmi të vendeve anëtare të BE-së?
Gashi: Të them të drejtën edhe unë jam shumë skeptik se Kosova do ta marrë liberalizimin këtë vit. Nuk mund të them diçka më shumë mbi arsyet nga ajo që e kemi dëgjuar. Ndonjë arsyetim shumë të qëndrueshëm për mosheqjen e vizave ndaj kosovarëve nuk e kemi dëgjuar nga Brukseli. Janë, si duket, shtetet e zhvilluara të Evropës të cilat janë sfiduar nga emigracioni dhe vala e refugjatëve të cilat prolongimin e liberalizimit të vizave për kosovarët e shohin në funksion të përballimit të kësaj sfide që, për mendimin tim, është arsyetim i paqëndrueshëm. Edhe forcimi i së djathtës në disa shtete të fuqishme të BE-së mund të interpretohet si arsye për ngadalësimin, madje edhe pengimin e liberalizimit për kosovarët.
“Epoka e re”: Z. Gashi, si duhet të sillet Kosova karshi këtij skepticizmi? Do të duhej ta kushtëzonte vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi me liberalizim të vizave?
Gashi: Kosova nuk e ka shumë luksin të kushtëzoj, sado që mosdhënia e liberalizimit ndikon në zbehjen e besimit të kosovarëve në vlerat e proklamuara humane të BE-së. Në fakt, BE-ja e ka humbur argumentin për mosliberalizimin e vizave për Kosovën. Ajo ka futur në gjirin e vet, përmes liberalizimit, dhjetëra miliona ukrainas dhe moldavianë dhe po pengon, pa ndonjë arsyetim të argumentuar, 1.5 milion kosovarë të cilët, edhe po të lëviznin të gjithë drejt BE-së, nuk do ta ndryshonin shumë asnjë ekuilibër brenda BE-së.