Kosova nuk e ka njoftuar Malin e Zi për ratifikimin e demarkacionit
Kosova ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht Malin e Zi për përfundimin e procedurave të brendshme sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit.
Pavarësisht se Kuvendi i Kosovës më 21 mars të këtij viti e ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin, në Qeverinë e Malit të Zi thonë së nuk kanë pranuar asnjë njoftim zyrtar nga institucionet e Kosovës.
Në një përgjigje për “Radion Evropa e Lirë”, Qeveria e Malit të Zi thotë se marrëveshja për kufirin shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës hyn në fuqi ditën e marrjes së njoftimit të fundit me shkrim të dërguar nëpërmjet kanaleve diplomatike përmes së cilave palët e informojnë njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të tyre të brendshme ligjore.
“Presim që Republika e Kosovës zyrtarisht ta informojë Malin e Zi për përfundimin e procedurave të saj të brendshme të nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje, duke pasur parasysh se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Malit të Zi.
Procedura e njoftimit është e paraparë me marrëveshjen të cilën e votoi Kuvendi i Kosovës.