Kosova nuk është përgatitur për fazën finale të dialogut

17 maj 2020 | 10:22

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, nuk mendon që një marrëveshje mes dy vendeve do të mund të arrihet shpejt. Ajo ka shprehur mendimin se Kosova nuk është e përgatitur për fazën finale sepse nuk ka unitet politik e as kombëtar rreth platformës së dialogut. Tahiri ka shtuar se nuk duhet të ketë prekje kufijsh meqë një gjë e tillë e destabilizon Ballkanin.

Ish-ministrja për Dialog, në një intervistë për KosovaPress, ka bërë me dije se Kosova duhet të flasë me një zë në dialogun Kosovë – Serbi dhe, sipas saj, uniteti i brendshëm është i domosdoshëm.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se nevojitet ndërmjetësim euro-amerikan, duke shtuar se Amerika është aleati i parë dhe kryesor i Kosovës, por edhe Evropa ka rëndësinë e vet.

Për çështjen e dialogut me Serbinë, Tahiri ka thënë se nuk duhet të krijohet përshtypja që çdo që po bëhet nga fillimi meqë, sipas saj, Serbia e pëlqen këtë narrativë dhe synon të largojë nga vetja përgjegjësinë për gjenocidin e kryer në Kosovë.

“Mendoj se ne nuk jemi të përgatitur për këtë fazë finale. E para, nuk kemi unitet as politik e as kombëtar rreth platformës së dialogut për shkak të disonancave në qëndrime. Qëndrimi që dominon dhe jam pjesë e atij qëndrimi është që nuk ka prekje kufijsh sepse çdo prekje kufijsh në Ballkan sjell jostabilitet dhe efekti domino nuk mund të ndalet vetëm në një pjesë të Ballkanit. E dyta, Kosova është shtet i pavarur, sovran, me këta kufij sipas vullnetit të popullit të Kosovës dhe luftës për pavarësi dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi që e ka njohur dhe vërtetuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ky do të duhej të ishte baza e platformës së unitetit për dialog. Zërat që kanë folur për prekje kufijsh duhet të margjinalizohen. Nuk duhet të lejohet që në emër të Kosovës dikush në botë të flasë për çështje kufijsh”, ka tërhequr vëmendjen ajo.

Ajo ka bërë me dije se duhet të mbyllet përfundimisht çfarëdo deklarimi për prekje të kufijve sepse, sipas saj, deklaratat e tilla e kanë dëmtuar Kosovën edhe në procesin e çnjohjeve.

Tahiri ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet seriozisht për këtë dialog me një unitet sa më të madh. “Edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell, me gjasë i manipuluar nga zërat që vijnë ndryshe nga Kosova, e la të hapur këtë çështje, pastaj doli Lajçaku si emisar për dialog e kundërshtoi. Kjo tregon se ne kemi dërguar sinjale të paqarta në botë dhe kemi vënë botën në huti. Tash është koha të ndërtohet zëri unik i qëndrimit të shtetit të Kosovës për dialog, pra fqinjësi po me Serbinë, por duke njohur pavarësinë e njëra-tjetrës, sovranitetin dhe integritetin territorial dhe duke e marrë Serbia përgjegjësitë për luftën, dëmet, gjenocidin, spastrimin etnik e të tjera”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka përsëritur se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka gabuar me idenë e korrigjimit të kufijve që, siç thotë Tahiri, ishte i ndihmuar nga presidenti i Serbisë. Ajo ka shtuar se Kosova nuk duhet futur në skenarë që do të nxirrnin një Serbi të madhe në Ballkan. Sipas Tahirit, vetëm një Ballkan i barabartë mund të sjellë paqe dhe stabilitet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas rrënimit të godinës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në…