Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore në rast të ndonjë fatkeqësie të madhe natyrore
Me rastin e 13 tetorit, Ditës Botërore për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera, njohësi i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti, ka theksuar se qëllimi i shënimit të kësaj dite e cila shënohet në të gjithë botën, është vetëdijesimi i njerëzve për masat që duhet t’i marrin në zvogëlimin e rrezikut ndaj katastrofave të ndryshme.
“Fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme, me intensitete dhe efekte të ndryshme, të cilat mund të godasin çdo moment duke shkaktuar humbje të konsiderueshme të jetëve të njerëzve dhe të mirave materiale. Republika e Kosovës, në rast të ndonjë fatkeqësie më të madhe natyrore, edhe pse ka një kuadër të konsoliduar ligjor, plane dhe strategji të miratuara, kur jemi të gjendja aktuale në terren, nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore, logjistike dhe operacionale, trajnime dhe ushtrime të mjaftueshme, si dhe pajisje dhe mjete të duhura për të reaguar në këso lloj situata”, ka thënë ai.
Ahmeti ka theksuar se është e domosdoshme ngritja dhe zhvillimi i këtyre kapaciteteve.
Ai ka thënë se duhet të ketë ndarje më të madhe të mjeteve financiare për investime. “Janë më së të nevojshme trajnimet, planet dhe përgatitjet në vazhdimësi. Ndërsa, ushtrimet praktike të koordinuara të të gjitha institucioneve kompetente, janë mënyra më e mirë për të qenë sa më të gatshëm dhe më të përgatitur për t’i përballuar fatkeqësitë e mundshme natyrore”, ka deklaruar Tahir Ahmeti, njohësi i çështjeve të emergjencave.
(M.Q / Epoka e re)