Kosova nuk mund ta humb liqenin e Ujmanit
Liqeni i Ujmanit (Gazivodës) gjendet në territorin e Republikës se Kosovës dhe është ndërtuar me fonde të Buxhetit të Kosovës. Shteti i Serbisë nuk ka bërë asnjë investim në këtë projekt dhe nuk ka të drejtë ligjore që të pretendojë apo tentojë përvetësimin e këtij gjiganti të akumulimit të ujit, thonë ish-funksionarë të lartë të Kosovës në kohën e komunizmit dhe profesorë universitarë në Prishtinë.
Liqeni i Ujmanit vlerësohet një ndër pasuritë e Kosovës, i cili shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar më shumicë serbe.
Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1979-1984. Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë me sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë dhe 370 milionë kub ujë. Hidrocentrali prodhon 35 megawatt për orë energji elektrike, kurse kanali Ibër Lepenc është 49 kilometra i gjatë.
Uji nga ky liqen artificial përdorët për ftohje të termocentraleve në Obiliq, për furnizim me ujë për disa komuna si dhe për ujitje në disa rajone të Kosovës. Në rast të thatësisë si ajo e vitit 2014 uji nga Ujmani përdoret për mbushje të dy liqeneve afër Prishtinës, atij të Batllavës dhe Badovcit.
Kohëve të fundit, zyrtarë nga Beogradi kanë bërë me dije se do të dëshironin ta ndanin Kosovën në vija etnike duke aluduar se Kosova do të mund ta humb Ujmanin.
Ky liqen menaxhohet nga ndërmarrja hidroekonomike “ Ibër Lepenc” më seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës. Në anën tjetër, në Zubin Potok ka një ndërmarrje në pronësi të Serbisë e cila quhet “Ibar” dhe është themeluar në vitin 2002 dhe që Kosovën e konsideron të paligjshme.
Ku u morën paratë për ndërtimin e Ujmanit?
Udhëheqës të shtetit të Serbisë po insistojnë ta përvetësojë për vetë këtë liqen, i cili aktualisht menaxhohet nga serbët, duke thënë se pjesa e Ujmanit është e një rëndësie strategjike për mbijetesën e serbëve në veri.
Azem Vllasi, ish-funksionar i lartë i Kosovës në kohën e komunizmit, tani avokat dhe analist politik, për Radion Evropa e Lirë tregon se Liqeni i Ujmanit është ndërtuar në atë kohë me mjete të buxhetit të Kosovës.
Ai tregon se për realizimin e këtij projekti 45 milionë dollarë janë marrë kredi nga Banka Botërore, për të cilën ka garantuar shteti i ish- Jugosllavisë, kurse obligimet dhe marrëveshjet i kanë nënshkruar njësitë federale, në këtë rast Kosova. Ndërkaq, 45 milionë dollarë të tjera janë siguruar nga buxheti i atëhershëm i Kosovës
“Do të thotë edhe si investim edhe nga aspekti pronësoro- jurdik si resurs publik dhe në çdo aspekt Ujmani ka qenë krejtësisht investim dhe resurs i Kosovës. Dhe tashmë në kufijtë që Kosova është shpallur shtet, Ujmani gjendet brenda këtyre kufijve dhe që Serbia asgjë nuk ka në këtë liqe” thotë Vllasi.
Edhe Muhamet Mustafa, Këshilltar i lartë në Institutin për Hulumtime Zhvillimore “ RIINVEST” thotë se akumulimi për Liqenin artificial dhe Hidrocentralin në Ujman është ndërtuar në tërësi me fonde te Kosovës dhe për nevoja të ekonomisë dhe qytetarëve të Kosovës. Madje edhe tokat që gjenden në territorin e Serbisë, thotë ai, janë shpronësuar nga fondet e Kosovës.
“Serbia nuk ka investuar asnjë cent në ndërtimin e Ujmanit. Madje edhe shpronsimet ne territorin e Serbisë, pronat e tokat që janë mbuluar pas akumulimit të ujit, është e vërtetë që një pjesë e Ujmanit i ka mbuluar disa toka që janë në kufi më Serbinë, janë jashtë territorit të Kosovës, por edhe për ato toka Kosova i ka paguar nga buxheti i vetë”
Kanali Ibër – Lepenci kalon nëpër territorin e pesë komunave – Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq, Prishtinë, duke kaluar nëpër 33 vendbanime rurale dhe dy qytete.
Kështu që çdo pretendim i Serbisë për tentim-përvetësim të resurseve të Kosovës janë të pabaza, thotë Vllasi
“Pretendimet e Serbisë ndaj resursit të ujit të Ujmanit, janë vetëm vazhdimësi e politikës se kohës se Slobodan Millosheviqit kur kanë menduar se Kosova më të gjitha resurset i takon Serbisë”.
Edhe Muhamet Mustafa, thotë se është jashtë çdo logjike pretendimi i Serbisë të diskutohet apo të përvetësojë ndërmarrjet që gjenden brenda territorit të Kosovës dhe që janë pronë e saj.
“Serbia nuk ka bazë legale, logjike dhe as morale që të kërkojnë ndonjë pronësi në Ujman, Trepçë ose në ndonjë ndërmarrje tjetër. Serbia duhet të heq këtë shprehi që diskutojë dhe tentojë të përvetësojë pronat e Kosovës, janë realitete të reja dhe kjo është baza numër një që të normalizohen raportet. Sepse nëse Serbia diskuton për pronësinë e Ujmanit ne mund të diskutojmë edhe për pronësitë e gjëra tjera, por ato janë gjëra jashtë logjike sepse ato janë gjëra jashtë territorit të Kosovës dhe të Serbisë”, thotë Mustafa.
Edhe zyrtarë të Qeverisë se Kosovës, kanë thënë se liqeni i Ujmanit (Gazivodës) i takon shtetit të Kosovës dhe kushdo që pretendon ta përvetësojë atë, do të bëjë “një agresion” ndaj Kosovës