Kosova, optimiste se liberalizimi i vizave do të përmbyllet këtë vit

01 gusht 2018 | 13:58

Dhënia e rekomandimit për heqjen e vizave nga Komisioni Evropian ka bërë që liderët shtetërorë të besojnë fuqishëm se gjatë këtij vitit do të përfundojë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në këtë kontekst, presidenti i Republikës Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se brenda tre-katër muajve do të përmbyllet ky proces. Edhe kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë thënë se liberalizimi do të jetë proces i pandashëm.

Ata kanë bërë me dije se institucioneve të Kosovës u mbetet të punojnë edhe më shumë për zbatimin e reformave si dhe për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë që të mos shkaktohen vonesa të tjera në kuadër të liberalizmit të vizave.

Edhe kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të përfundojë këtë vit. Ajo ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se aprovimi i rekomandimit për vizat do të jetë më i lehtë në Parlamentin Evropian, ndërsa më kompleks në Këshillin e Ministrave.

“Dhënia e një date të saktë për këtë proces do të ishte një paragjykim i vendimmarrjes së dy institucioneve të Bashkimit Evropian, pasi ky proces është i tëri vullnet politik i anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Por, bazuar në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe bazuar në takimet tona të ndryshme që kemi pasur me përfaqësues të institucioneve të BE-së, shpresojmë se ky proces të përfundojë gjatë këtij viti”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Ajo ka paralajmëruar se institucionet e Kosovës do ta kenë një dinamikë të re të lobimit për liberalizimin e vizave për t’i bindur vendet anëtare të BE-së se janë plotësuar kushtet dhe se kosovarët nuk do ta keqpërdorin liberalizimin.

“Pra, puna, përpjekjet tona dhe mobilizimi vazhdojnë edhe pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian. Më lejoni ta quaj në zhargonin futbollistik, tashmë jemi në finale, ku më shumë se kurrë ne duhet të jemi më dinamikë në procesin e lobimit dhe prezantimit të punës sonë tek të gjithë aktorët e procesit vendimmarrës. Prandaj komisioni do të ketë edhe një dinamikë të re të lobimit edhe në këtë fazë. Përveç kësaj, institucionet tona duhet ta vazhdojnë kampanjën për vetëdijesimin e qytetarëve me të drejtat dhe përgjegjësit nga procesi i liberalizimit”, është shprehur Deliu-Kodra, duke shtuar se Kuvendi ka prioritet kombëtar agjendën e integrimeve evropiane.

“Bazuar në këtë prioritet të përbashkët kombëtar, nuk e shoh si problem apo nuk do të duhej të ishte problem konsensusi kombëtar sa iu përket temave që ndërlidhen me agjendën e integrimit evropian. Agjenda evropiane ngërthen në vete edhe miratimin e legjislacionit që drejtpërdrejt ndërlidhet me këtë agjendë dhe mosmiratimi i këtyre ligjeve do ta ngadalësonte dinamikën e procesit të integrimit evropian”, ka theksuar ajo.

Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka shprehur optimizëm se procesi i liberalizimit të vizave do të përmbyllet këtë vit. Megjithatë, ajo ka thënë se Kosovës i mbetet të dëshmojë para shteteve anëtare të BE-së se po e lufton korrupsionin dhe se nuk ka numër të rritur të azilkërkuesve në vendet e BE-së.

“Për procesin e liberalizimit të vizave jam optimiste që si proces brenda institucioneve të Bashkimit Evropian (BE) do të përmbyllet këtë vit. Kosova duhet të dëshmojë para shteteve anëtare se është duke punuar në vazhdimësi në luftimin e korrupsionit. Duhet të dëshmojë se i ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë si dhe duhet të dëshmojë se nuk ka numër të rritur të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Ahmetaj për gazetën “Epoka e re”.

Ajo u ka bërë thirrje institucioneve ta shtojnë angazhimin për t’i përfunduar reformat e domosdoshme në mënyrë që shteti i Kosovës të avancojë në procesin e integrimit evropian.

Sipas Ahmetajt, ky proces duhet të mbetet prioritet dhe, si i tillë, kërkon konsensus politik.

“Procesi i integrimit evropian duhet të mbetet prioritet për institucionet e Republikës së Kosovës, prandaj në vazhdimësi duhet të shtohet puna drejt përmbushjes së këtyre kritereve apo bërjes së reformave të domosdoshme, në mënyrë që shteti ynë të avancojë në këtë agjendë/proces. Integrimi evropian është proces që i takon edhe pozitës, edhe opozitës, prandaj për këtë proces është shumë me rëndësi të ketë konsensus politik”, është shprehur Ahmetaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në bazë të të dhënave të fundit të publikuara nga…