Kosova, organizatore e Javës Evropiane të Sportit
Shteti i Kosovës për herë të parë do të jetë nikoqir i Javës Evropiane të Sportit, nga 23 deri 30 shtator të këtij viti. Kjo iniciativë e Komisionit Evropian për të promovuar sportin dhe aktivitetin fizik në tërë Evropën, sivjet do të organizohet për herë të parë edhe në Kosovë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), si përgjegjëse kryesore e zbatimit të politikave dhe organizimit të sportit në Republikën e Kosovës është bartësja dhe kryesuesja e këtij procesi.
MKRS-ja ka themeluar Trupën Kombëtare Koordinuese për Organizimin dhe mbarëvajtjen e Javës Evropiane të Sportit në vendin tonë. Ekipi do të jetë në përbërje të: Daut Thaqi – Këshilltar Politik për sport – kryesues; Ibër Alaj – Udhëheqës i Departamentit të Sportit – anëtar; Shasivar Haxhijaj – Sekretar i Përgjithshëm në Komitetin Olimpik të Kosovës – anëtar; Njomza Emini – Komiteti Para Olimpik i Kosovës – anëtare; Brikena Mulliqi-Gashi – Udhëheqëse e Departamentit të Integrimeve Evropiane – anëtare; Feim Hoxha – Udhëheqës i Departamentit Ligjor – anëtar.
“Në vazhdën e takimeve, kjo trupë në këtë fazë fillestare, është mbledhur sot, për planifikimin e agjendës së kësaj jave e cila do të organizohet edhe në Kosovë. Ndër çështjet që u diskutuan në këtë takim të parë ishin federatat të cilat do të marrin pjesë me aktivitetet e tyre në këtë javë, lokacionet nëpër qytete të ndryshme të Kosovës ku do të mbahen këto aktivitete dhe detaje tjera që cilat mbeten të sqarohen më tej në takimet e radhës që kjo trupë do të mbajë. Në kuadër të Javës, përpos aktiviteteve të ndryshme sportive të natyrës garuese e fizike, do të organizohen edhe konferenca shkencore dhe seminare të ndryshme që kanë të bëjnë me edukimin sportiv, masivizimin dhe jetën e shëndetshme që ofron aktiviteti sportiv”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Java është organizuar në 32 vende deri më tani, me mbi 34 mijë ngjarje dhe 10 milion njerëz që kanë marrë pjesë në ngjarje të ndryshme.