Kosova pa rini – Asnjë parti politike nuk ka forum rinor funksional
Nga Astrit Gashi
Në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, partitë politike në Kosovë kanë hyrë në garë pa funksionalizuar forumet e tyre rinore. Kjo u dëshmua qartë në hapjen e fushatave të të gjitha partive, ku mungesa e zërit dhe përfaqësimit të të rinjve ishte evidente. Zëri i tyre nuk u dëgjua askund. Edhe pse disa drejtues të rinisë figurojnë në listat për deputetë, forumet rinore janë praktikisht joaktive dhe mungojnë në çdo aspekt të veprimtarisë politike të partive. Ligji detyron disa parti të përfshijnë të rinjtë në lista zgjedhore, por kjo përfshirje shpesh është formale dhe jo për shkak të meritës. Të jemi të sinqertë, shumë nga kandidatët e rinisë nuk i meritojnë vendet pa treguar përkushtim dhe punë në aktivitete rinore.
Ky realitet tregon qartë se të rinjtë e Kosovës nuk shohin të ardhme në vendin e tyre. Kjo lidhet ngushtë me migrimin masiv, i cili ka ulur popullsinë e Kosovës në vetëm 1.6 milionë banorë. Mungesa e përfshirjes së rinisë në jetën politike është një sinjal alarmi për shoqërinë dhe një tregues i qartë i shkëputjes së tyre nga proceset vendimmarrëse. Nëse ky trend vazhdon, Kosova do të përballet me sfida të mëdha që rrezikojnë zhvillimin dhe stabilitetin e saj.
Një shtet pa rini nuk ka të ardhme, dhe një parti pa forum rinor është e destinuar të shuhet. Në botë, forumet rinore përbëjnë zemrën e partive politike, duke krijuar hapësira për të rinjtë që të mësojnë, të zhvillohen dhe të bëhen liderë të ardhshëm. Në Evropë, forumet rinore janë motorë të rëndësishëm të partive, duke përfaqësuar interesat e të rinjve, duke nxitur aktivizmin dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në proceset vendimmarrëse.
Në Kosovë, partitë politike nuk kanë vetëm një krizë të angazhimit të rinisë, por edhe mungesë të investimit në të. Për të krijuar një brez të ri aktiv politikisht dhe socialisht, është e domosdoshme që partitë të ndajnë buxhete specifike për zhvillimin e forumeve rinore. Ky financim mund të përdoret për organizimin e trajnimeve, debateve dhe aktiviteteve që i edukojnë dhe angazhojnë të rinjtë në çështjet politike dhe sociale.
Në vend që të mbështesin të rinjtë, shumë parti rezervojnë vende të privilegjuara për fëmijët e politikanëve, duke e kthyer Kosovën nga një republikë demokratike në një monarki nepotiste. Kjo situatë ka bërë që rinia, pjesa më vitale e shoqërisë, të largohet jo vetëm nga vendi, por edhe nga politika. Nëse ky trend vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet pa brezin e ri që do të udhëheqë ndryshimin dhe zhvillimin e saj.
Shembujt nga Evropa tregojnë se forumet rinore jo vetëm që ndihmojnë në edukimin e liderëve të ardhshëm, por gjithashtu i ofrojnë partive një burim të vazhdueshëm energjie dhe ide të reja. Arbër Gashi nga Suedia, një i ri nga Rinia Socialdemokrate, sot është pjesë e Parlamentit Suedez. Ai është dëshmi se investimi në rini dhe forumet rinore mund të sjellë ndryshime të mëdha në politikë.
Kosova mund dhe duhet të ndjekë këto modele. Një nga hapat e parë që duhet ndërmarrë është ndarja e buxheteve të veçanta për aktivitetet e forumeve rinore, duke u siguruar që këto forume të jenë funksionale dhe të zëshme. Përfshirja e rinisë në politikë nuk është vetëm një detyrim moral, por një domosdoshmëri për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të mbushur me shpresë për Kosovën. Pa këtë përkushtim, mungesa e rinisë në politikë do të mbetet një nga sfidat më të mëdha për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.