Kosova pa ushtri kurrë nuk do të jetë stabile
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka thënë të enjten se viti 2017 në aspektin e sigurisë është përcjellë me sfida dhe probleme.
Megjithatë, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ai ka vlerësuar se në përgjithësi gjendja e sigurisë ka qenë në nivel dhe institucionet e kanë kryer punën si duhet.
Kurse sa i përket FSK-së, Kastrati ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë lëvizje përpara. “Ky vit është përcjellë me sfida dhe probleme. Në përgjithësi gjendja e sigurisë ka qenë në nivel, institucionet e sigurisë e kanë kryer punën si duhet. Sa i përket Forcës së Sigurisë, për fat të keq, nuk ka ndonjë lëvizje përpara, përveç iniciativës së presidentit. Iniciativa e Thaçit ka lëvizur faktorin vendor dhe ndërkombëtar, duke dhënë mesazhin se duhet biseduar seriozisht me ata që nuk e përkrahin transformimin e FSK-së. Kjo iniciativë ka bërë të qartë se Kosova duhet të ecë përpara qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo ligjore”, ka theksuar Kastrati.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve të vendit ta kenë prioritet transformimin e FSK-së në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Kastrati ka thënë se nëse deri në qershor nuk bindet komuniteti serb që t’i votojë ndryshimet kushtetuese, atëherë Kosova duhet të ecë përpara përmes ndryshimeve ligjore. Sipas tij, Kosova pa ushtri nuk do të jetë kurrë stabile.
Ai ka pohuar se ushtria e Kosovës, përveçse do ta mbrojë sovranitetin dhe kufijtë e vet, do të shndërrohet në eksportuese të sigurisë, duke marrë pjesë në operacione paqeruajtëse e ushtarake në kuadër të NATO-s. “Qëllimi i institucioneve dhe liderëve duhet të jetë krijimi i ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimi në NATO. Kosova pa ushtri nuk do të jetë kurrë stabile, prandaj nuk besoj se do të ketë pengesa që 2018-a ta gjejë Kosovën pa ushtri. Ushtria e Kosovës brenda një kohe të caktuar do të jetë e gatshme t’i kryejë detyrat, pra ta mbrojë sovranitetin dhe kufijtë e vet”, është shprehur Kastrati.
“Epoka e re”: Z. Kastrati, si ishte viti 2017 për Kosovën në aspektin e sigurisë?
Kastrati: Në aspektin e sigurisë së Kosovës ky vit është përcjellë me sfida dhe probleme, por në përgjithësi gjendja e sigurisë ka qenë në nivel. Institucionet e sigurisë e kanë kryer punën si duhet. Sa i përket Forcës së Sigurisë, për fat të keq, nuk ka ndonjë lëvizje përpara, përveç iniciativës së presidentit. Iniciativa e Thaçit ka lëvizur faktorin vendor dhe ndërkombëtar, duke dhënë mesazhin se duhet biseduar seriozisht me ata që nuk e përkrahin transformimin e FSK-së. Kjo iniciativë ka bërë të qartë se Kosova duhet të ecë përpara qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo ligjore.
“Epoka e re”: Presidenti dhe liderët e tjerë patën premtuar se kjo çështje do të përmbyllet brenda këtij viti, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Kastrati: Po, është e vërtetë se është premtuar por, megjithatë, është bërë një lëvizje pozitive, meqë presidenti ia ka bërë të qartë komunitetit serb se, nëse nuk i votojnë ndryshimet kushtetuese, Kosova është e detyruar ta bëjë transformimin e FSK-së me ligj. Pra, me anë të ligjit ndërrohet mandati i FSK-së dhe ecën tutje drejt ngritjes së kapaciteteve.
“Epoka e re”: Por kjo iniciativë nuk u përkrah nga ndërkombëtarët.
Kastrati: Presidenti ka bërë punën e vet, sepse si komandat suprem i FSK-së është i obliguar të ecë përpara. Në vitin 2014 FSK-ja ka qenë e gatshme për t’u transformuar në ushtri, por kjo nuk ndodhi për shkak të një partie politike dhe prej atëherë nuk është bërë asgjë. Madje nuk dihet se kur do të bindet Lista Serbe që t’i votojë ndryshimet kushtetuese për formimin e ushtrisë së Kosovës. Faktori ndërkombëtar dëshiron që ky transformim të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese, por edhe ata duhet ta dinë që Kosova nuk mund të presë deri në pafundësi. Nëse deri në mes të vitit 2018 nuk bindet komuniteti serb që t’i votojë ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së, atëherë Kosova duhet të ecë përpara përmes ndryshimeve ligjore.
“Epoka e re”: Transformimi i FSK-së duhet të jetë prioritet i institucioneve në muajt e ardhshëm?
Kastrati: Qeveria dhe institucionet e tjera duhet ta kenë prioritet transformimin e FSK-së në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Ne po i shohim lëvizjet negative në rajon dhe më gjerë sa i përket stabilitetit të sigurisë dhe mbrojtjes, prandaj Kosova duhet të ecë përpara me këtë transformim dhe me ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Kosova si shtet sovran dhe i pavarur ka të drejtën ta ketë ushtrinë e vet.
“Epoka e re”: Sa ka gjasa reale të ndodhë një gjë e tillë në 2018-n?
Kastrati: Si ushtarak do të dëshiroja shumë ta shoh FSK-në drejt zhvillimit të saj në ushtri. Ndonëse ky është vendim politik, u rekomandoj institucioneve që në muajin janar t’i fillojnë bisedimet me komunitetin serb dhe atë ndërkombëtar në mënyrë që t’u jepet një mesazh se Kosova do të ecë përpara me ndryshime kushtetuese apo ligjore. Qëllimi i institucioneve dhe liderëve duhet të jetë krijimi i ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimi në NATO. Kosova pa ushtri nuk do të jetë kurrë stabile, prandaj nuk besoj se do të ketë pengesa që viti 2018 ta gjejë Kosovën pa ushtri. Ushtria e Kosovës brenda një kohe të caktuar do të jetë e gatshme t’i kryejë detyrat, pra ta mbrojë sovranitetin dhe kufijtë e vet. Po ashtu, ushtria e Kosovës do të shndërrohet në eksportuese të sigurisë, duke marrë pjesë në operacione paqeruajtëse dhe ushtarake në kuadër të NATO-s.
“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për punën e koalicionit qeverisës në sektorin e sigurisë?
Kastrati: Qeveria duhet ta ketë një program të risocializimit dhe riintegrimit të qytetarëve që kanë qenë pjesë e luftërave jashtë vendit. Por, ata që kanë bërë krime e shkelje duhet të dalin para drejtësisë. Gjatë kësaj periudhe Policia e Kosovës ka bërë një punë të mirë, është ballafaquar me të gjitha kërcënimet dhe rreziqet që ka pasur. Edhe KFOR-i ka kryer punën e vet në mënyrë që Kosova të jetë një ambient i qetë dhe i sigurt.
“Epoka e re”: Ka qenë i gabuar vendimi për mosaplikim në Interpol?
Kastrati: Është shumë keq që Kosova nuk është anëtare e Interpolit dhe mekanizmave të tjerë. Beogradi është pengesë që Kosova të ecë përpara drejt anëtarësimit në institucione rajonale dhe globale, qofshin ato të sigurisë apo të fushave të tjera. Shpresoj se në vitin e ardhshëm të ketë një dinamizim të dialogut, në mënyrë që Serbia mos ta pengojë Kosovën në ecjen përpara, por ta njohë atë si shtet të pavarur.
“Epoka e re”: Funksionalizmi i Gjykatës Speciale, mund ta destabilizojë vendin?
Kastrati: Nuk besoj se do ta destabilizojë për faktin se institucionet e sigurisë do ta kryejnë punën e vet. UÇK-ja ka bërë luftë të pastër sikur loti, një luftë çlirimtare sikurse krejt shtetet e ish-Jugosllavisë. Falë kësaj lufte kemi fituar lirinë dhe shtetin dhe këtë të drejtë nuk ka mundur të na mohojë askush. Është gabim i madh nëse dikush mendon se UÇK-ja ka bërë krime, kurse çfarë ka ndodhur pas luftës mund të përgjigjet secili individualisht. Për mendimin tim, kjo gjykatë më tepër është politike.
“Epoka e re”: Si e keni parë iniciativën për shfuqizimin e kësaj gjykate?
Kastrati: Nuk e përkrah asnjë gjykatë që dënon vetëm një komunitet brenda një shteti. Nëse ka pasur krime, ato janë kryer nga serbët dhe komunitetet e tjera dhe jo nga shqiptarët. Megjithatë, nëse po supozohet se ka pasur krime, atëherë kjo gjykatë do të duhej të merrej me të gjithë e jo vetëm me shqiptarët.
Shqipe HETEMI