Kosova para Kinës nga vendet që performuan më së miri në ‘Paris 2024’ në xhudo
Ishte paraqitja e tretë e Kosovës në një olimpiadë verore që kur u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar më 2014. Herën e parë, Kosova në Rio 2016 u stolis me medalje të artë me Majlinda Kelmendin në xhudo. Për herë të dytë, Kosova nga “Tokyo 2020” u kthye në shtëpi me dy të arta, sërish nga sporti i xhudos me Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën.
Edhe nga Parisi 2024, ekipi olimpik i Kosovës u kthye me dy medalje – kësaj radhe një të argjendtë dhe një të bronztë. Sërish ishte sporti i xhudos ai që na bëri krenarë me Distria Krasniqin dhe Laura Fazliun. Duke u renditur e 73-ta prej 206 ekipeve në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, Kosova llogaritet si një ndër vendet që performuan më së miri në këtë garë – së paku në sportin e xhudos.
Kështu ka vlerësuar Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF). “Festojmë vendet që performuan më së miri dhe atletët e tyre të mrekullueshëm”, ka shkruar IJF, duke publikuar listën e vendeve që sivjet morën medalje olimpike në xhudo. Kosova ka zënë vend në mesin e 15 vendeve që sipas IJF-së kanë treguar rezultatet më të mira në Paris 2024 në xhudo. E para në këtë listë është Japonia, e cila në sportin e xhudos ka siguruar sivjet gjithsejtë 7 medalje – 3 të arta, një të argjendtë dhe 3 të bronzta. Pas saj janë vende tjera të fuqishme, si Franca (vendi 3), Brazili (5), Italia (8), Kanadaja (10), kurse Kosova është në vendin e 14-të, një pozitë më lart se Gjermania të cilës sporti i xhudos ia ka sjellë vetëm një medalje të bronztë, si dhe ka siguruar një vend të pestë dhe një të shtatë.
Për dallim nga Gjermania, Kosova, përpos dy medaljeve, nga Parisi u kthye edhe me një pozitë të pestë. Prapa Kosovës janë edhe vende tjera të mëdha, si Spanja (20), Austria e Belgjika (të dyja në vendin 21), por edhe “superfuqia” Kina, e cila është renditur e 23-ta për sa i përket suksesit olimpik në sportin e xhudos. Të gjitha medaljet olimpike, Kosova i ka të siguruara nga sporti i xhudos.