Kosova, për befasi ndaj Polonisë
Nga ora 19:00 zhvillohet përballja në mes të Kosovës dhe Polonisë, kurse ylli shqiptar i basketbollit, Dardan Berisha, është mjaft optimist për këtë ndeshje. “Ne i dimë qëllimet tona, por e dimë se nuk do të jetë lehtë. Të gjithë bashkëlojtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo na jep motivim të bëjmë sa më mirë në duel me Poloninë. Ne do ta japim 100 % tonë dhe do të përpiqemi të bëjmë befasi për të mposhtur një ekip të fortë siç është Polonia”, ka thënë Berisha.
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll sonte (e premte) përballet me Poloninë në ndeshjen e cila i takon Dritares së Dytë të Grupit C të kualifikimeve evropiane të Kupës së Botës “Kina 2019”. Pavarësisht prej potencialit që ka skuadra përfaqësuese e Polonisë, trajneri i Kosovës, Brad Greenberg, është mjaft optimist për këtë ndeshje. “Është një shans i mirë për të luajtur në Poloni, pasi kemi dëgjuar se këtu atmosfera është shumë e mirë. Kundërshtari ynë ka një skuadër shumë të fortë. Aktualisht është i 28-ti në renditjen botërore, por unë besoj se djemtë tanë do ta bëjnë më të mirën”, ka thënë Greenberg.
Lidhur me ndeshjen ndaj polakëve ka folur edhe basketbollisti më i mirë shqiptar, Dardan Berisha. Ky i fundit ka premtuar maksimumin për të befasuar një skuadër të fortë siç është Polonia. “Ne i dimë qëllimet tona, por edhe e dimë se nuk do të jetë lehtë. Të gjithë bashkëlojtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo na jep motivim të bëjmë sa më mirë në duel me Poloninë. Ne do ta japim 100 % tonë dhe do të mundohemi të bëjmë një befasi për të mposhtur një ekip të fortë siç është Polonia”, ka thënë Berisha, i cili ka një karrierë mjaft të pasur si në basketbollin vendor, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Ndeshja në mes të Polonisë dhe Kosovës zhvillohet nga ora 19:00 në Wloclawek, kurse më 26 shkurt Kosova do ta ketë edhe përballjen e radhës ndaj Lituanisë në Klaipeda.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)