Kosova për fitore ndaj Rumanisë
Përzgjedhësi Damir Mulaomeroviq ka paralajmëruar se Kosova të dielën synon fitore ndaj Rumanisë.
Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Damir Mulaomeroviq, ka thënë se atmosfera në Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll para ndeshjes me Rumaninë është shumë e mirë. Sipas tij, “Dardanët” në ndeshjen e Grupit B të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021” kërkojnë fitore, ani pse rumunët kanë një skuadër shumë të fortë.
“Jam shumë i lumtur me atmosferën e shkëlqyeshme që është duke mbretëruar në Përfaqësuese. Djemtë kanë punuar me përkushtim të madh gjatë këtyre pesë ditëve dhe mund të them se për kaq ditë kemi arritur të bëjmë shumë gjëra së bashku. Rumania ka një ekip shumë të mirë, por ne duam ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Mulaomeroviq.
“Të dielën basketbollistët tanë do të dëshmojnë se janë luftëtarë të vërtetë dhe shfrytëzoj rastin t’i ftoj tifozët të vijnë në numër sa më të madh, sepse me të vërtetë kemi nevojë për përkrahjen e tyre, por edhe mendoj se këta djem e meritojnë përkrahjen e të gjithëve. Shpresoj se do të jetë një ndeshje me basketboll cilësor, sepse si ekip kemi pasur disa zhvillime dhe e kemi vendosur një standard në ekip, e kjo është për t’u lavdëruar për një përfaqësuese të re si Kosova”, ka deklaruar Mulaomeroviq.
Për ndeshjen ndaj rumunëve ka folur edhe kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha. Kapiteni i “Dardanëve” ka premtuar maksimumin në këtë ndeshje në mënyrë që Kosova të dalë fituese. “Ndeshja është e një rëndësie të veçantë, andaj besoj se 100 % do të jemi të gatshëm për të dielën. Jemi duke stërvitur mjaft mirë, atmosfera është shumë e mirë, gjithçka po shkon sipas planit të paraparë. Lojtarët që për herë të parë janë pjesë e Përfaqësueses na kanë dhënë një energji të re dhe një motivim. E dimë mjaft mirë për çka jemi duke luajtur, do të luajmë para shikuesve tanë si vendës, do të japim gjithçka nga vetja për ta fituar këtë ndeshje, e cila nuk do të jetë e lehtë. Rumania ka përvojë, por ne si ekip çdo ditë po e ngrehim nivelin e lojës sonë”, ka thënë Berisha, i cili ka bërë thirrje që të dielën palestra të jetë e mbushur në mënyrë që të motivohen sa më shumë lojtarët për fitore.
Ndërsa drejtori i përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, në prag të ndeshjes me Rumaninë, ka deklaruar: “Secila ndeshje ka rëndësinë e vet. E tillë do të jetë edhe kjo me Rumaninë, andaj u bëj thirrje të gjithë adhuruesve të sportit që të dielën të vijnë në numër sa më të madh për të na mbështetur, sepse kemi nevojë për përkrahje sa më të madhe të tifozëve. ‘Dardanët’ do të jenë të pranishëm në palestër në mënyrë të organizuar dhe tani na ka mbetur që të gjithë së bashku të kontribuojmë për të arritur deri te fitorja. Ekipi është shumë i motivuar për këtë ndeshje, andaj ne hyjmë në fushë për të fituar”. Kosova, që bën pjesë në Grupin B në tri ndeshjet e para, ka pësuar humbje dy herë nga Maqedonia dhe një herë nga Rumania, ndërsa e ka edhe një shans në muajin gusht për ta siguruar një vend për në kualifikime për “Eurobasket 2021”. Raundi shtesë i parakualifikimeve për “Eurobasket 2021” do të zhvillohet prej 3 deri më 21 gusht, ndërsa emrat e kundërshtarëve Kosova do t’i mësojë në shkurt, pas ndeshjes kundër Rumanisë.
/Epoka e re/