Kosova për fitoren e parë ndaj Gjeorgjisë

02 shtator 2021 | 11:18

“Dardanët” kërkojnë fitoren e parë në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022” në përballjen ndaj Gjeorgjisë e cila zhvillohet nga ora 18:00 në stadiumin “Batumi Arena”.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sot (e enjte) përballet me Gjeorgjinë në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

“Dardanët” zhvilluan dy stërvitje në Prishtinë për këtë ndeshje, derisa të mërkurën udhëtuan drejt Gjeorgjisë ku edhe zhvilluan stërvitjen e fundit për ndeshjen kualifikuese. Kosova në dy ndeshjet e para pësoi humbje, fillimisht nga Suedia në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 0-3, kurse më pas edhe nga Spanja me rezultat 3-1, raporton “Epoka e re”.

Tash futbollistët “dardanë” janë në kërkim të fitores së parë për kualifikueset e Kupës së Botës. Mesfushori Valon Berisha ka thënë se ndeshja ndaj Gjeorgjisë është e rëndësishme, por futbollistët e Kosovës janë përgatitur mirë dhe pritet rezultat pozitiv. “Duhet t’ia fillojmë mirë, pasi loja e parë është e rëndësishme. Kundërshtari ka një ekip të mirë që ka shkuar deri në fund në kualifikime për Evropian, do të jetë lojë e vështirë sidomos pasi është jashtë, por kemi besim në vete dhe do t’ia nisim mirë. Na presin ndeshje të vështira me Gjeorgjinë, Greqinë dhe Spanjën, por në dy ndeshjet e tjera jemi në shtëpi, e ndiejmë veten gjithmonë mirë kur luajmë në stadiumin tonë kështu që loja e parë është më e rëndësishme për ta marrë ritmin dhe për të krijuar atmosferë. Shumica e lojtarëve janë në formë dhe ma merr mendja që jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje”, ka thënë Berisha.

Ndërsa mesfushori tjetër, Herolind Shala, ka thënë se Kosovën e presin tri ndeshje të vështira. “Na presin tri ndeshje të vështira, pasi lojën e parë e kemi jashtë ndaj një kundërshtari të fortë. Synimi ynë është të marrim pikë. Si skuadër gjithmonë jemi pozitivë dhe jemi bashkë na duhen rezultate pozitive për të shkuar më lart”, ka deklaruar Shala. Pas dy ndeshjeve të zhvilluara, Kosova është e fundit në Grupin B me 0 pikë.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Ferat Shala, deputet i PDK-së Kryeministri i Kosovës Albin…