Kosova për kualifikimin ndaj Maltës

17 nëntor 2018 | 08:12

“Dardanët” synojnë maksimumin e pikëve ndaj Maltës dhe kualifikimin në ‘play-off’ të Ligës së Kombeve. Ndeshja zhvillohet sot nga ora 18:00, kurse Kosova është favorite absolute për ta fituar ndeshjen ashtu sikurse një muaj më parë në Prishtinë. Trajneri Bernard Challandes ka thënë se moskualifikimi tutje i Kosovës do të ishte një dështim i madh, por jo edhe fundi i botës.

Më 11 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” përfaqësuesja e Kosovës e kishte mposhtur Maltën, kurse të njëjtën gjë synon ta bëjë edhe sot (e shtunë) në Valleta dhe në këtë mënyrë ta sigurojë kualifikimin për fazën tjetër në Ligën e Kombeve.

Sulmuesi Vedat Muriqi ka thënë se “Dardanët” duhet ta sigurojnë kualifikimin në Maltë, kurse tri ditë më vonë në ndeshjen ndaj Azerbajxhanit në Prishtinë ta festojnë kualifikimin. “Presim të kualifikohemi tutje dhe jemi shumë optimistë për këtë. Besoj se do të arrijmë të përgatitemi mirë dhe ta arrijmë kualifikimin qysh në Maltë, pastaj të kthehemi në shtëpi kundër Azerbajxhanit për festë”, ka thënë Muriqi.

Më i matur në deklaratën për kualifikimin ishte treguar trajneri Bernard Challandes, i cili mendon se edhe nëse nuk kualifikohet Kosova tutje, nuk do të ishte fundi i botës. “Për ne aktualisht është e rëndësishme ta arrijmë kalimin në ‘play-off’ të Ligës së Kombeve. Po ashtu, nuk do të jetë fundi i botës nëse Kosova nuk do të kualifikohet. Normalisht se do të ishte zhgënjyese nëse nuk do të kualifikoheshim në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, mirëpo ne duhet të mendojmë për të ardhmen dhe ta vazhdojmë procesin e ndërtimit të ekipit dhe të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja”, kishte deklaruar Challandes.

Përfaqësuesja e Kosovës në kualifikimet ka qenë mjaft e mirë duke grumbulluar tetë pikë nga katër ndeshje. Ndërsa një nga lojtarët më të mirë në ekipin e Kosovës, Valon Berisha, i cili aktivizohet me skuadrën e Lazios në Serinë A, ka thënë se futbollistët do ta japin 100-përqindëshin që Kosova ta realizojë objektivin. “Kemi lojtarë shumë të mirë dhe po përgatitemi mirë. Sigurisht se kemi dy ndeshje shumë të vështira para vetes, sidomos kjo kundër Maltës. Shumëçka do të varet nga mentaliteti ynë në këto dy ndeshje. Ne kemi cilësi si ekip dhe me individë shumë të mirë dhe do të shkojmë me synimin për ta dhënë 100-përqindëshin për njëri-tjetrin dhe për Kosovën”, ka thënë Berisha.

Stërvitjen e fundit para ndeshjes, Kosova e zhvilloi të premten nga ora 18:00 në Valleta.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një atmosferë impozante ekipi gjakovar “Liburni” ka mposhtur F.C…