Kosova përfiton 187 milionë euro nga nënshkrimi i marrëveshjes ‘Evropa për qytetarët’
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka nënshkruar në Bruksel marrëveshjen me programin “Evropa për qytetarët” me drejtoreshe e përgjithshme për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi e Komisionit Evropian, Paraskevi Michou.
Vlera e programit e kësaj marrëveshje është 187 milionë euro.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë me dije se programi do të jetë shumë i mirëseardhur për të rinjtë, pasi rrit ndërgjegjësimin për historinë dhe vlerat e përbashkëta evropiane.
“Ky program inkurajon edhe pjesëmarrjen demokratike të qytetarëve në nivelin e BE-së, duke zhvilluar kuptimin e qytetarëve për procesin e bërjes së politikave të BE-së dhe duke promovuar mundësitë për angazhim shoqëror dhe ndërkulturor dhe vullnetarizëm në nivel të BE-së”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka theksuar se prioritetet specifike janë angazhimi demokratik dhe pjesëmarrja qytetare, si fushë që përfshin debatin e së ardhmes së Evropës dhe sfidimin e euroskepticizmit, promovimi i solidaritetit në kohë krizash, nxitja e dialogut ndërkulturor dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, luftimi i stigmatizimit të emigrantëve dhe grupeve minoritare, si dhe Viti Evropian i Trashëgimisë Kulturore 2018.
/Epoka e re/