Kosova përfiton 51 milionë euro nga Banka Botërore
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Anna Bjerde, në javën e takimeve pranverore në Uashington kanë nënshkruar marrëveshjen për financimin e Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme (DPF).
Ky financim, kap vlerë prej 51 milionë euro dhe mbështet prioritetet e Qeverisë për periudhën 2021-2025, që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik.
Në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar, ministri Murati u shpreh se reformat e mbështetura nga ky program riafirmojnë faktin se strategjia jonë është e ngritur mbi themele të qëndrueshme fiskale dhe është në funksion të zhvillimit afatgjatë, duke konfirmuar edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë në realizimin e këtyre objektivave.
Në këtë kontekst, mekanizmi DPF do të mbështesë masat që synojnë rritjen e transparencës në menaxhimin e financave publike në raport me menaxhimin e borxhit publik.
Po ashtu, programi mbështetë përmirësimin e kushteve të të bërit biznes për sektorin privat, duke thjeshtësuar procedurat për inspektime dhe duke zvogëluar barrën administrative për bizneset.
Tutje, me anë të këtij programi, ka filluar edhe krijimi i bazës që mbështetë investimet në energji të ripërtëritshme, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.