Kosova përfiton 75 milionë euro për energji nga marrëveshja IPA 2023
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë nënshkruar të premten marrëveshjen financiare IPA 2023, ku Kosova do të përfitojë 75 milionë euro të cilat janë të dedikuara për fushën e energjisë.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Bislimi ka thënë se ky program përbën një hap tjetër të Kosovës drejt integrimit evropian.
Ai ka theksuar se marrëveshja hy në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, derisa 68 milionë euro do të barten në buxhetin e shtetit shumë shpejt, kurse 7 milionë vitin tjetër.
“Sot e nënshkruam marrëveshjen financiare IPA 2023 e cila i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Ky program përbën një hap tjetër drejt integrimit evropian dhe dëshmon përkushtimin tonë ndaj vlerave dhe standardit evropian. Nga ky program Kosova fiton 75 milionë euro të cilat do të na ndihmojnë në kalimin e krizës energjetike”.
“Marrëveshja hyn në fuqi sot dhe menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90 për qind të fondeve të parapara me këtë marrëveshje të cilat kalojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa 7 milionë euro vitin e ardhshëm. Ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm në kuadër të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë”, ka thënë Bislimi, raporton “EO”.
Ndërsa shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se BE-ja është e gatshme ta ndihmojë Kosovën në tranzicionin energjetik dhe në bërjen e sistemit të qëndrueshëm energjetik.
“Marrëveshja vetëm se është nënshkruar nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian në Bruksel dhe unë nuk kam qenë në gjendje të nënshkruaj asgjë sot, sidoqoftë jam shumë i kënaqur që jam sot këtu që të jem dëshmitar i nënshkrimit të kësaj marrëveshje ku BE-ja i ofron 75 milionë euro që Kosova të tejkalojë krizën energjetike”, ka thënë Szunyog.