Kosova përfiton grant nga BERZh-i për linjën hekurudhore 10
Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, dhe drejtoresha menaxhuese për Evropën Qendrore dhe Juglindore e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Charlotte Ruhe, kanë nënshkruar një marrëveshje për grantin lidhur me projektin për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.
Hamza ka thënë se Republika e Kosovës në 10 vjet shtet ka arritur që të ndërtojë mbi 150 kilometra autostradë të cilat përfshihen në korridoret transevropiane dhe në agjendën e ndërlidhshmërisë së Bashkimit Evropian.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës me planprogramin e saj deri në fund të vitit 2021 do të arrijë ndërtimin e korridoreve transevropiane të përcaktuara në agjendën e ndërlidhshmërisë në sektorin rrugor dhe atë hekurudhor.
Hamza ka thënë se rehabilitimi i kësaj hekurudhe do të ndodhë në tri faza dhe kostoja e këtij projekti kap vlerën 195.5 milionë euro.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, drejtori gjeneral i Komisionit Evropian për fqinjësi dhe negociata për zgjerim, Christian Danielsson, ka thënë se me këtë projekt do të realizohet i tërë rindërtimi dhe rehabilitimi i korridorit hekurudhor që do të ndërlidh lidhjen në mes të Kosovës-Bullgarisë-Greqisë, e deri lartë në pjesën tjetër të Evropës.