Kosova përfiton mbi 6 milionë euro grante nga WBIF
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka njoftuar se është lajm i mirë për Kosovën që aplikimi ynë për grante në vlerë mbi 6 milionë euro u miratua nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) duke e bërë Kosovën njërën nga vendet përfituese të Ballkanit Perëndimor.
Ministrja Hoxha ka theksuar rëndësinë e WBIF granteve në implementimin e projekteve që kanë për synim zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve strategjik siç është energjia, transporti, mjedisi, si dhe zhvillimi i sektorit social dhe privat.
Ministria e Integrimit Evropian në konsultim me bankat zhvillimore të cilat marrin pjesë përmes huadhënies, ka koordinuar procesin e përgatitjes së aplikimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në kuadër të thirrjes së 21-të për grante të asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF)
Ministrja Hoxha ka informuar se Komiteti Drejtues i WBIF ka njoftuar se janë miratuar aplikacionet për grante në mbledhjen e 20-të të datës 25-26 qershor 2019, në Berlin.
Ajo ka thënë se në kuadër të asistencës teknike për Kosovën u miratuan katër grante në nivel nacional në shumë prej mbi 5.5 milionë euro, dhe një projekt në nivel rajonal në shumë 624,000 euro.
Kosova përfiton nga këto grante përmes këtyre projekteve: Sistemet e Ngrohjes Qendrore (2,010,000 euro); Plani për Furnizimin me Gaz dhe Shqyrtimi i Kornizës Rregullative dhe Asistencës (1,507,500 euro); Nxitja dhe Shfrytëzimi i Mundësive për Sigurinë e Ujit në Kosovë: Ndërtimi i Digës së Kremenatës (1,040,000 euro); Ndërtimi dhe Rehabilitimi i Infrastrukturës së Kujdesit Shëndetësor (1,005,000 euro) dhe REEP Plus, Dritarja 4 – Ndërtesat Publike (624,000 euro).
Ministrja Hoxha ka theksuar se si koordinatore kombëtare e fondeve IPA, do të vazhdojë të koordinojë asistencën zhvillimore në Kosovë me qellim të implementimit të reformave që e sjellin vendin më afër Bashkimit Evropian.
/Epoka e re/