Kosova përfiton nga Gjermania 8 milionë euro grant

13 qershor 2018 | 16:13

Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, e përfaqësuar nga Banka Zhvillimore Gjermane (KfW), të mërkurën nënshkruan marrëveshjen financiare të grantit për projektin “Mënjanimi i ujërave të zeza në Kosovën Jugperëndimore – faza V”.

Në prezencën e ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe nga udhëheqësi i zyrës së KfW Rene Eschemann në emër të Bankës Gjermane për Zhvillim KfW.

Ministri Hamza ka thënë se është i lumtur që sot si Qeveri e Kosovës nënshkruam marrëveshjen “Mënjanimi i ujërave të zeza në Kosovën Jugperëndimore – faza V” për Prizrenin, Pejën dhe Gjakovën me Qeverinë Gjermane.

Ai gjatë takimit ka theksuar se Gjermania ka dhënë për Kosovën 86 milionë euro, ku 50% e tyre janë në formë të granteve, ndërsa kjo është marrëveshje e cila e ngrit shumën e marrëveshjeve që janë në formë të grantit, kontribut financiar pa kthim. “Nga këto 86 milionë euro, 50% me marrëveshjen që nënshkruam sot janë grante, donacione të institucioneve të Gjermanisë, gjë për të cilat e falënderojmë ambasadorin, institucionet gjermane dhe taksapaguesit gjermanë që po kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ministri Hamza.

Kjo është faza e pestë për investime në fabrikat e këtyre qyteteve për trajtimin e ujërave të zeza, të cilat fabrika janë ndërtuar me ndihmën e Qeverisë Gjermane përmes granteve. Kjo marrëveshje është nënshkruar për të avancuar edhe më tutje këto investime të bëra deri më tani.

Marrëveshje e nënshkruar të mërkurën ka të bëjë me vendosjen e kamerave nëpër rrjete për këto komuna për identifikimin e nevojave për investime, dhe pastaj këto të dhëna vendosen në sistemin GIS (Sistemin Informativ Gjeografik), ku në të ardhmen, me investim tashmë të zotuar të Qeverisë Gjermane, do të mundësohet edhe ndarja e ujërave të zeza nga ujërat atmosferikë.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave e Ministrisë së Punëve të…