Kosova, përfituese e Programit të BE-së “Tregu i Përbashkët” me vlerë 4.2 miliardë euro
Në ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari dhe drejtoresha e përgjithshme për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme (DG GROW), Kerstin Jorna, kanë nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen e Republikës së Kosovës në Programin e Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët” për periudhën kohore 2021-2027.
Pjesëmarrja në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët” për Kosovën, është një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në BE.
“Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (SME), mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”, ka thënë ministrja Hajdari.
Ajo ka treguar se përmes këtij programi të BE-së “Tregu i Përbashkët”, bizneset dhe organizatat e Kosovës mund të ndërveprojnë me bizneset dhe organizatat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve në proces të anëtarësimit në BE.
Programi “Tregu i Përbashkët” do të mbështesë sektorët e sipërpërmendur me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027, e që nga tani bizneset dhe organizatat vendore mund të përfitojnë nga ky program.
Në lidhje me mënyrën e aplikimit dhe përfitimit nga ky program bizneset dhe organizatat vendore do të njoftohen me kohë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në mënyrë që ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë mundësi shumë domethënëse për zhvillimin e përgjithshëm dhe transformimin ekonomik të vendit tonë.
Ministrja Hajadari ka falënderuar ekipet negociatore, nga Qeveria e Kosovës të udhëhequr nga Irfan Lipovica dhe nga Komisioni Evropian të udhëhequr nga Francesca Porcelli.
“Kosova është njëra ndër vendet e para që bëhet pjesë e këtij programi”, ka theksuar Hajadari.