Kosova, përjetësisht mike e Amerikës
Policia, zjarrfikësit dhe ambulanca kanë ndezur sirenat dhe dritat e mjeteve të tyre, ndërsa Garda e Nderit e Policisë së Kosovës ka ulur në gjysmë shtizë flamurin amerikan. Krejt kjo në kuadër të aktiviteteve të shoqatës “Miqtë e Amerikës”, në shenjë nderimi për viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në ShBA.
Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, ka thënë se në vitin 2001, Kosova i kishte ende varret e hapura nga lufta, kur më 11 shtator përjetuan edhe ngjarjen e rëndë në Amerikë, e cila ishte përcjell me lot.
Duke përkujtuar se në kohët më të vështira të Kosova ka pasur një aleate të fuqishme si Amerika, Rexhepi ka thënë se kjo e fundit do të jetë përjetësisht aleate e ShBA-së.
“Populli i Kosovës, në veçanti populli shqiptar, ka ditë të veprojë konkretisht, për t’i treguar popullit amerikan që ne jemi ai popull që e kemi merituar të intervenohet për ne atëherë kur kemi pasur miq. Ne jemi të vetëdijshëm që atëherë kur intervenoi Amerika me aleatë, ne ishim para zhbërjes. Faleminderit Amerikë! Ta dinë populli amerikan dhe institucionet amerikane, qytetarët amerikanë, se në veçanti populli shqiptar është falënderues dhe do të na keni aleat jo vetëm sot, por përjetë e mot”, ka thënë Rexhepi.
Ndërsa menaxherja kryesore e ICITAP-it për Kosovë, Cimberly Wright, ka nëpërmjet një fjalimi ka përkujtuar edhe një herë ngjarjen e 11 shtatorit. Ajo ka kujtuar edhe kolegët e saj të cilët kishin humbur jetën po këtë ditë në krye të detyrës.
I pranishëm në shënimin e 18-vjetorit të sulmit ndaj kullave binjake në ShBA, ishte edhe kryetari i shoqatës “Lushnja” të Shqipërisë, Durim Meta.
Ai ka thënë se kombi shqiptar është një si ata që jetojnë në Kosovë ashtu edhe ata në Shqipëri, ku për këtë ai pati një ftesë që vitin e ardhshëm kjo ditë të shënohet në Lushnjë.
Në kuadër të aktiviteteve të sotme në bulevardin “Bill Clinton” janë vendosur edhe fotografi. E në përmbyllje të aktiviteteve, u ndezën qirinj para emrave dhe fotografive të viktimave. /Ksp/