Kosova pësoi humbje nga Norvegjia, ky është reagimi i përzgjedhëses Fazlija
Përfaqësuesja e Kosova për femra pësoi humbje nga Norvegjia me rezultat 0-3.
Përzgjedhësja Afërdita Fazlija u shpreh e kënaqur me angazhimin e vashave, por jo edhe me rezultatin, megjithëse e pranoi se ky është kapaciteti i Kosovës përballë një skuadre si Norvegjia.
“E kemi ditur se do të jetë një ndeshje e vështirë. Definitivisht jemi kombëtare të pabarabarta. Norvegjia është pjesë e ekipeve më të forta evropiane dhe për këtë arsye ne edhe luajtëm me sistemin 5-4-1, me mbrojtje të ngjeshur dhe mendoj se atë që e kemi menduar edhe e kemi arritur, sepse qëllimi ka qenë t’i rezistojmë sa më shumë. Ndoshta ka qenë hendikep i madh mungesat që i kemi pasur në mbrojtje dhe si rrjedhojë vija e fundit kishte probleme. Por, këto janë kapacitetet e Kosovës në futbollin e femrave. Edhe më herët kam apeluar që për kombëtare të reja si ne do të duhej të aplikohej formati i Ligës së Kombeve, i cili do të ndihmonte kombëtaret e vogla që të rriteshin”, ka thënë Fazlija.
“Gjithsesi, ndaj Norvegjisë vashat e dhanë maksimumin e tyre dhe paraqitja e tyre është një element i mirë edhe për ne, por edhe për klubet e futbollit në Kosovë që ndaj një kombëtareje të tillë patën mundësi t’i bëjmë pesë zëvendësime dhe të luajnë 8-9 lojtare nga kampionati vendor. Me rezultat normalisht se nuk jam e kënaqur, pasi kjo është garë zyrtare dhe pikët janë ato që vlejnë, por humbja 0:3 ndaj një kundërshtari të tillë cilësor mendoj se nuk është rezultat i thellë, ngase kualiteti dallon shumë”, ka shtuar Fazlija.
/Epoka e re/