Kosova pëson humbje me rezultat të ngushtë nga Polonia

25 nëntor 2021 | 19:20

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave, ka pësuar humbje në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2023. Dardanet u mposhtën nga Polonia, me rezultat 1:2.

Kosova e nisi mbarë takimin duke shënuar qysh në minutat e parë. Ishte Loridona Syla, e cila shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit nga këndorja, në minutën e 5-të, duke e kaluar Kosovën në epërsi. Megjithatë, polaket arritën të përmbysin rezultatin gjatë pjesës së parë. Fillimisht shifrat i barazoi Karolina Gec, në minutën e 18-të, derisa në minutën e 34-t Martyna Wiankowska shënoi për epërsinë e Polonisë, 2:1.

Në pjesën e dytë loja ishte më e baraspeshuar, kurse mundësinë e artë për ta barazuar rezultatin e shpërdoroi Erleta Memeti, në minutën e 89-të, kur doli e vetme para portieres, por nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë. Kosova, e cila ndodhet në grupin F bashkë me Norvegjinë, Belgjikën, Shqipërinë dhe Armeninë, ndodhet në pozitën e pestë me gjithsej 4 pikë.

Të martën e fundit të nëntorit, Dardanet sërish do të jenë nikoqire në “Fadil Vokrri”, me ç’rast e presin Shqipërinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në shënim të hapjes së fushatës – 16 Ditë të…