Kosova pëson humbje nga Bullgaria në Evropianin U18
Hendbollistët e Kosovës pësojnë ndaj Bullgarisë në Evropianin U18. Ndonëse kishte shpresë për fitoren e parë në ndeshjen ndaj Bullgarisë, kjo nuk ndodhi.
Përfaqësuesja U-18 e Kosovës në hendboll ka humbur edhe ndeshjen e pestë dhe të fundit në fazën grupore të Evropianit të Divizionit B që po mbahet në Austri. FHK-ja përmes faqes zyrtare njofton se rezultati i ndeshjes të luajtur të enjten paradite ishte 29:23 në të mirë të Bullgarisë. Kështu Kosova përfundon fazën grupore në vendin e fundit (6) në grupin B. Në ditët në vijim i ka edhe dy ndeshje për plasman përfundimtar.
“Në ndeshjen ndaj Bullgarisë dallimi është bërë në pritjet e portierëve. Derisa portierët bullgarë kanë ndalur më shumë se gjysmën e gjuajtjeve në drejtim të portës së tyre, portierët tanë nuk e kishin ditën dhe kanë bërë fare pak pritje. Poashtu shumë gjuajtje joefikase kishte hendbollisti kryesor i kombëtares tonë Yll Muqolli, që u ndal në tri gola”, thuhet në njoftim.