Kosova pëson humbje nga Uzbekistani
Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar humbje në ndeshjen e parë në kuadër të turneut kontinental të futsallit që po mbahet në Tajlandë. Dardanët humbën në duel me Uzbekistanin, me rezultat 6:3.
Ndeshja nisi keq për të përzgjedhurit e Arben Simitçiut. Qysh në minutën e parë u pësua gol, kur Davron Choriev kaloi uzbekët në epërsi.
Ndërkaq, epërsinë e uzbekëve e shtoi Dilshod Rakhmatov në minutën e 2-të. Këta dy gola të shpejtë të kundërshtarëve nuk ndikuan shumë në lojën e Dardanëve, të cilët shumë shpejtë arritën të këndellen dhe ta përmbysin rezultatin.
Fillimisht realizoi Meriton Salihu në minutën e 6-të, derisa më pas Mërgim Dervishaj realizoi dy herë në minutat 8-të dhe 17-të për ta çuar rezultatin në 3:2.
Megjithatë, edhe pjesa e dytë nisi keq për Dardanët, kur vetëm pas dy minutash të pësojnë gol nga një pakujdesi në mbrojtje, kur realizoi Ikhtiyor Ropiev.
Më pas Dardanët duke u përpjekur për të barazuar shifrat pësuan edhe dy gola në minutat e fundit. Khnushnur Erkinov shënoi në minutën e 36-të për 5:3, derisa rezultatin përfundimtar e vendosi Davron Choriev me golin e tij të tretë, në minutën e 38-të, në momentet kur Kosova luante pa portierë në përpjekje për të ndryshuar shifrat e takimit.
Ndeshjen e radhës Dardanët do ta luajnë nesër kundër Tajlandës.
Pas ndeshjes përzgjedhësi Simitçiu për faqen zyrtare të FFK-së deklaroi: “Për fat të keq lojën e humbëm prej gabimeve tona. Kemi qenë të përgatitur për kundërshtarin deri në detajet më të vogla por ndoshta nga motivimi i tepërt, bëmë gabime shumë të lehta në fillim të lojës. Pastaj ditëm të rikthejmë lojën prej 0:2 në 2:3. Por, kur menduam se në fillimin e pjesës së dytë do të fokusohemi edhe më shumë, na ndodhi prapë një gabim që na kushtoi me gol. Mund të them që sot ja dhuruam kundërshtarit fitoren me gabimet tona, të cilat uzbekët i shfrytëzuan maksimalisht. Nervozizmi nga gabimet e përsëritura na bëri që mos t’i shfrytëzojmë dhjetëra raste e prej atyre qëlluam 3 herë shtyllën. Gjithsesi, duhet ta kemi parasysh se Uzbekistani është Kombëtarja ‘Top 4’ e Azisë. Sonte do ta analizojmë lojën dhe do t’i shohim gabimet, në mënyrë që të mos i përsërisim në ndeshjen e radhës. Formati i turneut me lojë çdo ditë nuk na jep mundësi për të menduar shume për këtë humbje. Shpresoj se nesër lojtarët tanë do ta bëjnë maksimumin tonë ndaj nikoqirëve të Tajlandës, të cilët janë një nga favoritët e turneut”.