Kosova pjesë e shënimit të “Ditës Botërore të Konsulencës”
Në Kosovë është shënuar “Dita Botërore e Konsulencës” e cila shënohet në 50 shtete të ndryshme të botës, dhe me këtë rast, “Business Consultants Council” (BCC) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kanë organizuar një takim në nivel të institucioneve publike dhe private për ndikimin e këshillëdhënës dhe vlerën e operimit të saj në institucione.
Ngjarja u shënua edhe me nënshkrimin e 9 memorandumeve të bashkëpunimit mes BCC-së dhe Innovation Centre Kosovo (ICK), Odën Ekonomike Britanike, IPKO Foundation, G7, CEED Kosovo, Shoqatën KAMA, Shoqatën STIKK, Shoqatën e Përpunimit të Metalit dhe Energjisë së Ripërtërishme dhe Shoqatën e Përpunimit të Drurit, të cilat do të kontribojnë në shkëmbimin e shërbimeve, bashkëpunimeve dhe zhvillimin mes institucioneve nënshkruese.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani në këtë ngjarje, përgëzoi manifestimin e ditës botërore të konsulencës në Kosovë. Ai ka deklaruar se bizneset private dhe kompanitë e ndryshme kanë nevojë për këshillëdhënie bazuar në fushëveprimet e ndryshme dhe se MTI-ja, është e përkushtuar që përmes projekteve që financohen nga Komisioni Evropian, COSME, Banka Botërore të ndihmojnë ndërmarrjet lokale dhe këtu konsulentët luajnë një rol të madh në zhvillimin e projekteve investive për këto ndërmarrje.
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për efiçiencë të energjisë, Arsim Koliqi, ka thënë se Agjencia është duke ndërmarrë projekte si për sektorin publik ashtu edhe privat që kërkojnë angazhim të konsulentëve për implementim të tyre. “Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të implementojë investime me vlerë prej 31 milionë eurosh për efiçiencën e energjisë dhe do të angazhojë konsulentët”, ka thënë ai.
Kurse Visar Dobroshi, sekretari i Bordit të BCC-së, ka thënë se BCC është ombrella e vetme e konsulentëve vendor nga fushëveprime të ndryshme të cilët ofrojnë shërbime kualitative dhe e përkushtuar të rrit përgjegësinë tek konsulentët dhe kompanitë konsulente për të qenë transparent dhe të përgjegjshëm.
Ndërsa Leonora Kusari, menaxhere në Departmentin e Këshilla për Biznese të BERZH-it, prezantoi perspektivën dhe sfidat e tregut të konsulencës në Kosovë, si dhe përkrahjen e vazhdueshme të këtij institucioni në ngritjen e kapaciteteve të konsulencës vendore të cilët kanë ndihmuar bizneset kosovare në zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre.
“BERZH ndër vite ka trajnuar mbi 360 konsulentë vendor dhe ka angazhuar mbi 230 sosh për të implementuar projekte të këshillëdhënies tek mbi 800 NMVM, e cila përkrahje financiare kap vlerën mbi 7.5 milionë € falë kontributit të donatorëve si Bashkimi Evropian, Holanda, Fondi i Veçantë i Aksionerëve të BERZH-it, Luksemburgu dhe Suedia. Vetëm në 3 vitet e fundit, 63% e ndërmarrjeve të përkrahura kanë rritur punësimin, 78% e tyre kanë rritur produktivitetin dhe 9% e tyre kanë arritë të tërheqin investime mbi 19 milion euro”, u shpreh ajo.
Në fund, Drejtoresha e BCC-së, Jehona Lluka, ftoi konsulentët të anëtarësohen dhe regjistohen në platformë si dhe kompanitë dhe shoqatat të anëtarësohen dhe të përfitojnë nga shërbimet e këshillëdhënies. Po ashtu, Lluka ftoni edhe Ministritë që të bashkëpunojnë dhe koordinojnë aktivitetet që ndërlidhen me angazhimin e konsulentëve në implementimin e projekteve publike dhe përkrahjen në zhvillimin e projekteve për sektorin privat.