Kosova, pjesëmarrëse në Forumin për forcimin e bashkëpunimit të sistemeve prokuroriale të shteteve ballkanike

17 tetor 2019 | 15:06

Në kuadër të zhvillimit të bashkëpunimit regjional të sistemeve prokuroriale në Izmir të Turqisë po mbahet Forumi i Parë i Punës së prokurorëve të përgjithshëm të shteteve ballkanike, në të cilin po merr pjesë një delegacion kosovar, i përbërë nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu dhe drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, ku janë të pranishëm edhe shumë kryeprokurorë dhe prokurorë të sistemeve prokuroriale ballkanike.

Qëllimi i organizimit të këtij forumi është diskutimi i rëndësisë së fuqizimit të bashkëpunimit regjional të sistemeve prokuroriale, në mënyrë që të mbështetet hetimi dhe ndjekja penale e krimeve serioze dhe të karakterit ndërkufitar, pastaj të shtohen përpjekjet për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale përmes shkëmbimit të përvojave dhe rritjes së bashkëpunimit në fushën e drejtësisë në mes të vendeve ballkanike dhe më gjerë.

Rrjedhimisht, delegacioni nga Kosova, ka prezantuar në sesionet e këtij forumi ndërkombëtar në emër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe përgjithësisht të sistemit prokurorial shtetëror, duke vënë në pah synimet e së ardhmes për formimin e ekipeve të përbashkëta hetimore me përfaqësues të institucioneve të sundimit të ligjit të dy apo më shumë vendeve, përcaktimin e ekipeve për vepra penale specifike në bazë të marrëveshjeve në mes të shteteve, anëtarësimin në organizata profesionale dhe nxjerrjen e protokolleve dhe marrëveshjeve në mes të shteteve, çështje këto, që radhiten në mesin e sfidave kryesore të sistemit prokurorial jo vetëm kosovar.

Gjatë zhvillimit të punimeve të forumit do të miratohet një deklaratë e përbashkët e pjesëmarrësve, me anë të së cilës kërkohet një angazhim më i shtuar në raport me kërkesat drejtuar shteteve të ndryshme dhe organizimin e tryezave të tilla të punës me aktorë të institucioneve të sundimit të ligjit të shteteve regjionale, të cilat ndihmojnë tejkalimin e sfidave të ndërsjella.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk e…