Kosova pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Lëvrimit
Republika e Kosovës do të marrë pjesë në edicionin e 66-të të Kampionatit Botëror të Lëvrimit në mesin e 27 shteteve pjesëmarrëse, i cili këtë vit do të mbahet në Baudette, Minnesota të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me datën 30 dhe 31 gusht.
Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Lëvrimit, i bërë para nëntë viteve, u ka krijuar mundësinë lëvruesve kosovarë që të konkurrojnë me shtetet më të mëdha të botës, të cilat kanë përvojë shumëvjeçare në këtë fushë.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e cila mbështet përfaqësimin e lavërtarëve në këtë kampionat, tregon se pjesëmarrja e përfaqësueses kosovare në këtë kampionat, përveç epitetit garues, ka për qëllime dhe promovimin e fuqishëm të shtetit të Kosovës, shkëmbimin e praktikave më të mira të lëvrimit, përmirësimin dhe shfrytëzimin racional të tokës, duke u bazuar në rregulloren e Organizatës Botërore të Lëvrimit, dhe aplikimin e rregullave të Organizatës Botërore të Lëvrimit (WPO).
Bekim Hoxha, udhëheqës i delegacionit kosovar dhe njëherësh edhe anëtar i Bordit të Organizatës Botërore të Lëvruesve (World Ploughingh Organization – WPO), tha se garuesit kosovarë gjatë viteve të kaluara kanë arritur të tregojnë rezultate pozitive në këtë disiplinë dhe kjo ka bërë që Kosova të tërheq vëmendjen e shumë medieve botërore që po mbulojnë këtë ngjarje. “Kampionati Botëror i lëvrimit ka një traditë 66 vjeçare, ku shumica e shteteve tregojnë shkathtësitë e tyre në fushën e lëvrimit. Në mesin e këtyre shteteve, tashmë edhe Kosova ka shtatë vite që merr pjesë në këtë kampionat, me ç’rast lavërtarët kosovarë kanë arritur të tregohen mjaft të suksesshëm”, ka thënë Hoxha.
Në Kampionatin Botëror të lëvrimit, për shkak të buxhetit të limituar, Kosova këtë herë përfaqësohet me një garues të vetëm i cili është Lulzim Shehu dhe atë në disiplinën me plug konvencional, i mbështetur nga trajneri Afrim Sharku, si dhe Kryetari Organizatës së Lëvruesve të Kosovës, Alban Rama.
/Epoka e re/