Kosova plotësoi vetëm gjysmën e objektivave të planit për zbatimin e MSA-së
Duke pasur parasysh rëndësinë që ka MSA-ja në rrugën drejt BE-së si dhe në zhvillimin e vendit, Grupi për Studime Juridike dhe Politike vazhdon të monitorojë punën e institucioneve të Kosovës në përmbushjen e Planit Kombëtar për Zbatim të MSA-së (PKZMSA) që nga fillimi i hyrjes në fuqi.
PKZMSA 2021-2025 u miratua nga Kuvendi i Kosovës në tetor të vitit 2021 dhe shënon planin e gjashtë që prej vitit 2015 kur u nënshkrua MSA-ja.
Ngjashëm sikurse vitet e kaluara, GLPS-ja ka bërë një vlerësim të detajuar të implementimit të PKZMSA-së për vitin 2021 në tërësi.
Për të realizuar këtë vlerësim, GLPS-ja ka kërkuar informata nga të gjitha institucionet përgjegjëse në lidhje me punën e tyre duke vlerësuar se sa kanë arritur të përmbushin objektivat e paracaktuara.
Në të njëjtën kohë, ka vlerësuar afatet kohore të zbatimit dhe sa të kujdesshëm ishin në procesin e përafërmit të akteve ligjore të Kosovës me korpusin e të drejtës së BE-së, Acquin.
Të gjeturat e monitorimit të GLPS-së për implementimin e PZKMSA-së për vitin 2021 tregojnë se nga gjithsej 245 veprime, institucionet përgjegjëse kanë arritur të përmbushin plotësisht vetëm 119 veprime, apo rreth 49 për qind të totalit të paraparë për vitin që lamë pas. Pjesët tjera mbesin ende të papërmbushura ose në proces, rrjedhimisht janë bartur për vitin 2022.
Brenda PKZMSA-së, masat ndahen në ato legjislative dhe zbatuese.
Të dhënat nga vlerësimi i realizuar tregojnë se nga gjithsej 111 masa legjislative, vetëm 45 për qind janë përmbushur, kurse nga 134 masa zbatuese, 51 për qind rezultojnë të plotësuara.
Nga vlerësimi i GLPS-së posaçërisht mund të nxirren përfundimet e dhëna se: Në shumë raste, institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që të hartojnë në kohë, apo nuk kanë filluar që të hartojnë ligjet që janë parashikuar që të miratohen gjatë vitit 2021; Një numër i madh i institucioneve nuk kanë arritur që të hartojnë legjislacionin sekondar, edhe në ato raste kur ligjet ka vite që ishin miratuar dhe janë në fuqi; Në të njëjtën kohë, vlerësimi tregon që institucionet përgjegjëse janë të prirura të dështojnë të realizojnë ato objektiva arritja e cilave varet nga puna ndër-institucionale dhe planifikimi afatgjatë; Disa masa (p.sh: Rregullorja e Re e Kuvendit, Ligji për Arsimin e Lartë, Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme 0-6 vjeç, etj) barten nga viti në vit dhe karakterizohen me vonesa të shpeshta dhe stagnime gjatë procedurave; Disa institucione mos përmbushjen e masave të parapara ia kanë atribuuar situatës epidemiologjike në Kosovë; Në disa raste projektligjet janë kthyer në rishikim për shkak të mos-harmonizimit me Aquis, sikurse është rasti me projektligjin për Prokurim Publik; Në fushën e Administratës Publike mbeten një sëre projektligjesh të pamiratuara por shumë të rëndësishme dhe prioritare, siç janë Projektligji për paga, Projektligji për zyrtarët publik dhe Projektligji për valën e dytë të racionalizimit të agjencive të pavarura.
Marrë parasysh këto rezultate, GLPS-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të përmirësojë kontrollin e performancës së institucioneve nën menaxhimin e saj, dhe institucioneve tjera përgjegjëse, duke kërkuar nga këto të fundit, që jo vetëm të raportojnë por edhe të plotësojnë objektivat në kuadër të këtij procesi.
Po ashtu, sipas GLPS-së duhet filluar një proces të ri të prioritizimit të objektivave që duhet arritur.
GLPS-ja ka theksuar se suksesi i institucioneve në fund matet nga aftësia e tyre për të përmbushur objektiva më të rëndësishme, siç janë pakoja e ligjeve për reformë të administratë publike dhe Ligji për Arsimin e Lartë.