Kosova po bëhet gati për ndeshjen ndaj Zvicrës, kjo është agjenda
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka lënë prapa krahëve fitoren ndaj Izraelit. “Dardanët” po shikojnë përpara, më saktësisht tek dy sfidat e ardhshme që i presin gjatë këtij muaji.
Trupa e trajnerit Primoz Gliha është duke u bërë gati për sfidën e së shtunës kundër Zvicrës. Federata e Futbollit të Kosovës e ka publikuar agjendën e Kombëtares, duke njoftuar se Verdhekaltrit do të ushtrojnë sot në Kampin Nacional në Hajvali duke filluar nga ora 15:00.
Ekipi kombëtar do të ushtrojë në ditët në vazhdim në këtë kamp, duke e pasur parasysh gjendjen e baltosur të fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, para se ta marrë rrugën drejt Zvicrës, ku të shtunën mbrëma në Basel do të ketë punë me Shaqirin, Xhakën dhe shokët e tyre, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.
Kosova dhe Zvicra kishin barazuar në sfidën e parë në Prishtinë, ndërsa ndeshja e së shtunës është mjaft e rëndësishme për “Helvetikët”, të cilët s’e kanë siguruar ende kualifikimin.
E të martën tjetër Kosova do ta mbyllë kampanjën kualifikuese me duelin që do ta ketë në shtëpi me Bjellorusinë.
“Dardanët” e shohin veten në vendin e katërt në Grupin I me 10 pikë, prej tyre 2 fitore, 4 barazime e 2 humbje.