Kosova po bëhet gati për nisjen e vitit të ri shkollor – skepticizëm mbi përgatitjet e bëra për një fillim të sigurt
Në njoftimet e njëpasnjëshme që u bën nga Ministria e Arsimit, u ndryshuan disa herë datat e fillimit të procesit arsimor, derisa përfundimisht u vendos që mësimi në shkolla të fillojë më 14 shtator.
I tërë ky proces ka shkaktuar konfuzion tek nxënësit, prindërit, madje edhe vetë mësimdhënësit, të cilët nuk e kanë ende të qartë se si do të vijojë mësimi këtë vit shkollor dhe sa do të lejojë pandemia zhvillimin e një procesi mësimor të rregullt.
Ndonëse procesi mësimor do të fillojë, çfarë do ta lehtësojë barrën e prindërve, megjithatë ekspertët thonë se duhet rishikuar mundësitë e hapjes së shkollave dhe të mos merren vendime të ngutshme, edhe pse tashmë edhe botërisht është vërtetuar që mësimi online nuk ka pasur efekt të njëjtë.
Shpresa Shala, drejtore e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka bërë të ditur që kryeqyteti ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e një procesi të suksesshëm mësimor, ndonëse e ka pasur më së vështiri për shkak të numrit më të madh të nxënësve.
“DKA ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Fillimisht kemi formuar një ekip për të bërë një protokoll të sjelljes dhe respektimit të rregullave në nivel komunal bazuar në dokumentet e MASH dhe IKSHP, gjatë muajve të verës janë bërë renovime sipas nevojës në 44 shkolla, të gjitha shkollat kanë bërë Task Force në nivel shkolle, është dukë u bërë dezinfektimi i të gjitha shkollave, janë furnizuar shkollat me materiale higjienike dhe dezinfektuese sipas udhëzuesit nga MASS, janë bërë sinjalizimet nëpër shkolla për orientimet e nxënësve, Janë pajisur me materiale-postera informues në çdo cep të shkollave, janë bërë listat e kontrollit për të verifikuar kryerjen e punëve obligative në shkollë, janë bërë oraret mësimore dhe janë njoftuar edhe prindërit për oraret dhe të gjitha përgatitjet e nevojshme”, njoftoi ajo.
Edhe përkundër përgatitjeve të bëra, Shala tha për “Gazetën Scanner”, se në rast të emergjencës, mësimdhënësit tashmë janë më të përgatitur për mësim online, edhe përkundër që efekti i mësimit nuk është i njëjtë.
“Mësimi online nga muaji mars deri në muajin qershor ka qenë mësim në një situatë emergjente dhe MASH shpejt është organizuar, por në shumë shkolla dhe komuna ka mbetur pa u realizuar pjesa tjetër, që është kontaktimi përmes platformave të ndryshme nga mësimdhënësit. Tanimë mësimdhënësit e kanë një përvojë dhe besoj që do të zhvillohet më mirë, por prapë mbetet mungesa e pajisjeve teknologjike dhe internetit për nxënës dhe mësimdhënës, si dhe mungesa e njohurive të mësimdhënësve për përdorimin e pajisjeve teknologjike”, potencoi drejtorja Shala.
Psikologët shkollorë dhe të fëmijëve janë të mendimit që nuk duhet të sakrifikohet shëndeti i fëmijëve dhe familjeve, vetëm për ta shmangur mësimin online, edhe pse efekti i mësimit online nuk është i njëjtë.
Shpresa Osmani, psikologe shkollore, thotë për Scanner se kthimi në bankat shkollore është shumë problematik dhe kërkon vëmendje e përkushtim, po aq sa edhe moskthimi i tyre në shkolla.
“Ne e dimë se transmetimi i virusit është më i lartë në hapësira të dendura dhe të mbyllura. Megjithëse rreziku për fëmijët mund të mos jetë aq i lartë sa rreziku për të rriturit që i mësojnë ata, virusi duket se ka pasur me raste një reagim ekstrem edhe në disa raste pediatrike. Me rëndësi është se fëmijët mund të bëhen bartës, të cilët transmetojnë virusin tek anëtarët më të ndjeshëm të shoqërisë, siç janë gjyshërit e tyre. Fakt tjetër është se fëmijët nuk janë gjithmonë shumë të kujdesur për higjienën e tyre, sidomos në objektet shkollore publike në Kosovë ku ka mungesë uji, sapuni e letre higjienike. Disa klasë janë të mbingarkuar me nxënës dhe mundësia për distancë fizike është pothuajse e pamundur”, sqaroi ajo.
Osmani tutje shpjegoi se duhet pasur kujdes të theksuar me gjendjen psikologjike të fëmijëve, të cilët janë prekur nga krantinimi dhe pandemia, si përvoja të reja dhe të papritura për ta.
“Të qëndruarit larg edukimit për kaq kohë të gjatë do të mund të shoqërohet me pasoja të rënda në zhvillimin akademik të fëmijëve. Madje, edhe arritja e fituar mund të regresohet. Të mësuarit online mund të ndihmojë për të parandaluar këtë regres, por nuk mund të bëjë plotësisht ndryshimin. Shtuar streset e tjera nga të jetuarit larg shoqërisë, që mund të shkaktojnë pasoja të rënda, siç janë: vonesë në zhvillimin njohës, emocional dhe shoqëror. Për nxënësit që janë në periudhën kritike të adoleshencës, madje mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve mendore. Sa i përket prindërve, do të ketë mjaft stres e tension po ashtu”, shtjelloi Osmani.
Osmani theksoi se nuk është menduar mjaftueshëm as për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, që kanë nevojë për më shumë kujdes dhe vëmendje, në rast se duhet t’i rikthehemi mësimit online.
“Do të duhej të planifikohej e mendohej edhe për fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët pa njërin prind, fëmijët me prindër të divorcuar apo të sëmurë, fëmijët me prindër të pashkolluar mjaftueshëm, familjet e varfra, prindërit që punojnë orare të gjata, etj.
Për shembull, prindërit e papunë që supozohet se janë në gjendje ekonomike jo te mirë, do ta kenë problem sigurimin e hapësirave të mësimit, blerjen e kompjuterit, pagesën e internetit, sigurimin e ngrohjes, meqë po shkojmë drejt stinëve të ftohta”.
E njësoj mendon edhe Vlora Fejza, psikologe e fëmijëve, e cila tha se hapja e shkollave duhet të bëhet, por edhe duhet pasur një plan të sigurt për rihapjen e tyre.
“Duke e marrë parasysh se mësimi online çdokund në botë nuk e ka pasur efektin e njëjtë sikurse në shkollë, dhe nuk ka qenë rezultati i njëjtë, megjithëse në grupe më të vogla se normalja dhe gjithmonë duke respektuar masat që rekomandohen për parandalimin e infeksionit nga koronavirus, dyert e shkollave duhet të hapen”, thotë ajo për Scanner.
Fejza tha se përvoja na ka treguar që efekti i mësimit online nuk është i njëjtë dhe se vështirësitë nuk kanë qenë vetëm për nxënësit, por edhe për prindërit e mësimdhënësit.
“Shkëputja nga orët mësimore në klasë kanë ndikim negativë tek nxënësit dhe aftësitë e fëmijës për të nxënë, platforma online dhe mësimi në distancë mendoj se do të jenë të pamjaftueshme për të mësuar sidomos për fëmijët e klasës së parë, të dytë , të gjashtë dhe të dhjetë. Gjasat që fëmijët me kushte të rënda ekonomike të ndjekin mësimin online do te jenë minimale, sepse jo te gjithë fëmijët do t’i kenë pajisjet për të ndjekur mësimin në distancë, si dhe kjo gjendje mund të shkaktojë ankth dhe stres tek prindërit dhe fëmijët, të cilët do të vazhdojnë të shkëputen nga rutinat dhe moshatarët e tyre. Pandemia mund të zgjasë disa vite, zgjidhja është tek hapja e shkollave duke respektuar masat”, konstatoi ajo.
Në takimin e mbajtur këtë javë në MASH, u mor vendim që nisja e vitit të ri shkollor të shtyhet për datën 14 shtator. Shtyrja e fillimit të vitit shkollor, sipas njoftimit zyrtar, po bëhet me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit. Po ashtu, kjo do të sigurojë një mobilizim më të madh të përgjithshëm në përballje me pandeminë në Kosovë. /GazetaScaner