Kosova po ndërmerr reforma për menaxhimin e migrimit
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, njëherësh Koordinator Nacional për Migrim, ka mbajtur të mërkurën takimin e Komitetit të tretë Drejtues të Projektit Rajonal për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, lidhur me përkrahjen e mbrojtjes sensitive të menaxhimin e migrimit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqisë.
Në këtë takim zëvendësministri Zeka ka thënë se Republika e Kosovës ka bërë progres të theksuar në proceset demokratike dhe konsolidimit të institucioneve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane. “Marrëveshja e Stabilizim Asociimit na shërben si udhërrëfyes për reformat që jemi duke i ndërmarr si Ministri e Punëve të Brendshme, në veçanti në fushat që ndërlidhen me menaxhim të migrimit dhe menaxhim të kufirit. Andaj reformat legjislative dhe të politikave në këto fusha janë bërë në përputhje me standardet evropiane dhe gjithnjë me përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe evropian, duke theksuar këtu përkrahjen e vazhduar që kemi nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Zeka.
Gjithashtu zëvendësministri Zeka ka falënderuar Komisionin Evropian për përkrahjen që ka dhënë dhe vazhdon të përkrah Kosovën në shumë aspekte, dhe në veçanti në fushën e migrimit, si dhe partnerët tjerë evropian dhe ndërkombëtar në zbatimin e projekteve dhe ofrimin e ekspertizës për institucionet tona dhe për shtetin tonë.
Në fund të takimit zëvendësministri Zeka ka theksuar se ky takim do të duhej të shfrytëzohet si një platformë e bashkëpunimit dhe planifikimit të përbashkët, në mënyrë që të dalim sa më shumë punë dhe suksese në zbatim të projektit dhe avancimit të proceseve në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në përputhje me proceset e integrimit të Kosovës dhe fqinjëve tanë në Bashkimit Evropian.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë, FRONTEX-i, IOM-it, EASO-s UNHCR-se si dhe zyrtarë të lartë të MPB-së.