Kosova pranohet në Eurovizionin për Startups
Kosova nga viti 2018 do të jetë pjesë e garës “Startup Europe Awards” bashkë me të gjitha shtetet e Evropës.
Kjo ngjarje është garë e bizneseve startup dhe inovative në nivel lokal, regjional, shtetëror dhe evropian, që për qëllim ka nxitjen e inovacionit, zgjidhjeve të reja dhe bashkëpunimin ndërmjet akterëve kryesorë brenda ekosistemit evropian të ndërmarrësisë.
Me rastin e pranimit të Kosovës në këtë garë të rëndësishme për inovatorët dhe ndërmarrjet kosovare, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka shfaqur kënaqësinë e tij për këtë arritje të rëndësishme. Ai ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në garën “Startup Europe Awadrs” do t’u mundësojë bizneseve kosovare rrjetëzim, promovim dhe identifikim të nevojave për financim.
Ministri Beqaj e ka uruar ICK-në për organizim të suksesshëm të kësaj gare në Kosovë.
“Startup Europe Awards” (SEUA), mbledh rreth vetes organizatorët, inkubatorët & akseleratorët e biznesit, universitetet, fondacionet, investitorët për një të ardhme më të mirë për bizneset startup dhe zhvillimin ekonomik të Evropës në përgjithësi.
“Kjo garë prestigjioze që nga viti 2018 në Kosovë do të organizohet nga Qendra e Inovacionit e Kosovës (ICK) dhe do të jetë e ndarë në kategori të ndryshme si: Industri Kreative, Energji, Fintech, Green, e-Health, Internet of Things, Smart Cities, Siguri Kibernetike, EdTech, AgriTech, Modë dhe ndryshime klimatike. Fituesi i garës shtetërore, do të përfaqësojë vendin tonë në nivel të Evropës”, është thënë në komunikatën e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.