Kosova pranon 35 000 vaksinat e para nga ShBA
Përmes një ceremonie të organizuar sot në ambientet e QKUK-së, Kosova ka pranuar 35 mijë e 100 doza të vaksinës “Pfizer” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga mbi gjysmë milioni që pritet të vijnë në vazhdim.
Me ketë është përmbushur zotimi i presidentit Joe Biden për të ndihmuar partnerët anembanë botës në luftën kundër Covid-19.
Kjo paraqet donacionin më të madh të vaksinës kundër Covid-19 që ndonjë vend apo organizatë ia ka dhuruar Kosovës. Me këto doza, Qeveria e Kosovës do të ketë mundësi t’i vaksinojë dhe të mbrojë qytetarët e saj, duke lëvizur për 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të saj të përgjithshëm të vaksinimit.
“Dërgesa e sotshme është pjesë e përkushtimit të presidentit Biden për të ndarë dozat e vaksinës Covid-19 nga furnizimet vendore amerikane për të mbështetur nevojat globale. Pasi që asnjë vend nuk mund ta mposhtë Covid-19 vetëm, në qershor, Shtetet e Bashkuara fillimisht u përkushtuan për të ndarë 80 milionë doza vaksine me botën. Që nga 3 gushti, ne kemi dhuruar dhe dërguar mbi 110 milionë doza në më shumë se 60 vende, dhe ky është vetëm fillimi. Sikurse ka thënë presidenti Biden: ‘Po i ndajmë këto doza jo për të siguruar favore apo për të nxjerrë koncesione. Po i ndajmë këto vaksina për të shpëtuar jetë dhe për ta udhëhequr botën që t’i japim fund pandemisë’”, është theksuar në komunikatën e Ambasadës së ShBA-së.
Duke folur gjatë ceremonisë së arritjes së vaksinave, ambasadori amerikan Philip S. Kosnett ka thënë se vaksinat bëjnë punë vetëm nëse qytetarët vaksinohen.
“Shumë njerëz ende besojnë se vaksina është e panevojshme ose nëse janë infektuar dhe i kanë mbijetuar Covidit, që nuk do të sëmuren sërish. Kjo thjeshtë nuk është e vërtetë, veçanërisht në vazhdën e rritjes dramatike të rasteve të shkaktuara nga varianti Delta. Prandaj, ju lutemi, vaksinohuni për të mbrojtur veten, familjet dhe komunitetin tuaj”, ka thënë Kosnett.