Kosova pret përkrahje nga Letonia për procesin e anëtarësimit në NATO

08 shtator 2021 | 17:24

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur sot me nderime të larta ushtarake homologun e tij nga Letonia, ministrin Artis Pabriks.

Duke i uruar mirëseardhje ministrit Pabriks dhe delegacionit të tij, ministri Mehaj ka shprehur falënderime dhe mirënjohje të lartë për kontributin e shtetit dhe kombit letonez për sigurinë e Republikës së Kosovës me kontingjentin e saj në kuadër të KFOR-it.

Në takimin mes dy ministrave u diskutua për çështjet e interesit të përbashkët të të dyja vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ata u dakorduan që ky bashkëpunim të intensifikohet dhe konkretizohet me plane të qarta të aktiviteteve të përbashkëta.

“Për ne që jemi në fazën e zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve operacionale, përvoja e Republikës së Letonisë, si vend anëtar i NATO-s është shumë e rëndësishme. Bashkëpunimi ynë do të shtrihet në fusha të ndryshme, por me fokus do të jenë ofrimi i përvojës së Letonisë në procesin e anëtarësimit në NATO, operacioneve paqeruajtëse, si dhe shkëmbimi i përvojave në fushat specialistike mes dy forcave”, ka thënë ministri Mehaj.

Nga ana e tij, përveç tjerash, ministri Pabriks, theksoi vullnetin e tij dhe qeverisë letoneze për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe ofrimin e kontributit nga kapacitetet e tyre në realizimin e synimeve strategjike të Republikës së Kosovës dhe qeverisë së saj për anëtarësim në NATO dhe BE, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Në fund të këtij takimi, të dy ministrat u pajtuan që ekipet e të dyja vendeve në nivel të ekspertëve të angazhohen intensivisht për marrëveshjen e re bilaterale, për zhvillim e kapaciteteve të ndërsjella në funksion dhe shërbim të sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri shqiptar Robin Haxhi Krasniqi do ta zhvillojë rimeçin me…