Kosova pret vlerësim pozitiv nga delegacioni i BE-së për vizat
Për ta parë nga afër progresin për luftimin e krimit dhe korrupsionit gjatë kësaj jave në Kosovë do të qëndrojë një delegacion i Bashkimit Evropian (BE).
Me këtë rast, përfaqësuesit e institucioneve, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kanë shprehur optimizëm se Kosova do të marrë vlerësim pozitiv nga delegacioni evropian sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit si kriter i fundit për liberalizimin e vizave.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se janë duke punuar ngushtë me të gjitha institucionet në mënyrë që para delegacionit të BE-së të paraqiten sa më mirë puna dhe progresi i arritur.
“Delegacioni vlerësues i BE-së do të jetë në Kosovë këtë javë, nga data 3 – 4 maj. Ai ka paraparë një agjendë të ngjeshur takimesh me të gjitha institucionet ku puna e tyre ndërlidhet me zbatimin e kriterit të rasteve të shënjezuara, ndryshe të njohur edhe si Track Record, apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Po punojmë ngushtë me të gjitha institucionet për ta paraqitur sa më mirë punën dhe progresin e arritur. Kam pasur takime me të gjitha institucionet që janë të angazhuara drejtpërdrejt në zbatimin e kriterit të luftimit të krimit dhe korrupsionit, që të jemi sa më të përgatitur me rastin e vizitës së këtij misioni vlerësues nga BE-ja”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se Kosova meriton vlerësim pozitiv për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ekipi teknik nga Komisioni Evropian që do të vijë në Kosovë ka për qëllim vlerësimin e progresit të bërë për përmbushjen e kriterit për liberalizimin e vizave, përkatësisht luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai ka thënë se duke qenë se është ekip teknik, vlerësimi i tyre, si dhe i Komisionit Evropian do të ketë qasje rekomanduese, pastaj u mbetet vendeve anëtare një nga një që ta determinojnë dhënien apo mosdhënien e liberalizimit të vizave. Megjithatë, Tahiri pret që Kosova t’i marrë kredencialet e duhura nga ky mision.
“Konsideroj se që nga kalimi i marrëveshjes së demarkacionit është krijuar një moment i ri për të gjitha institucionet, veçmas për institucionet e sistemit të drejtësisë të cilat kanë reflektuar dhe kanë marrë përsipër përgjegjësitë e veta për të qenë më fleksibile dhe për ta dinamizuar agjendën institucionale në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Institucionet e sistemit të drejtësisë nuk do të zihen në befasi nga ky mision dhe se ka mjaftueshëm dëshmi konkrete që përpjekjet e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit si dhe politikat legjislative të sponsorizuara nga Ministria e Drejtësisë, vërtet janë duke bërë një dallim të madh, efektet dhe rezultatet e të cilave natyrisht se presim që do t’i marrin kredencialet e duhura nga misioni vlerësues dhe, rrjedhimisht, deri në fund të këtijvitiqytetarëttanëtëkenë mundësi të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka bërë me dije se në rrafshin praktik prokuroria dhe gjyqësori kanë punuar në mënyrë të vazhdueshme për ta avancuar më tutje zgjidhjen e rasteve të shënjestruara të cilat paraqesin indikacion të qartë për kapacitetet dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës për t’i luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.