Kosova prezantohet me projekte konkrete në Samitin e Londrës
Mbi 30 projekte janë seleksionuar për t’u prezantuar në Samitin e Londrës nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, javën që vije.
Samiti do të bëjë bashkë 6 Kryeministrat e Ballkanit Perëndimorë, me ftesë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), derisa në vazhdën e përgatitjeve, kryeministri Haradinaj ka zhvilluar një takim me drejtorin e Konsituencës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ku bënë pjesë edhe Kosova, Ove Jensen, me të cilin u bisedua për projektet me të cilat prezantohet Kosova dhe për lehtësimin e procedurave administrative deri te financimi i tyre nga ana e BERZH-it.
“Jemi të përkushtuar si Qeveri që të vazhdojmë punën dhe në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e bizneseve dhe sektorin privat, t’i japim kahje zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës. Për disa muaj, ne kemi punuar ngushtë me të gjithë akterët nga sektori privat dhe publik që të zgjedhim projektet më të mira, më të nevojshme për t’u prezantuar në Samit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Roli i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në Kosovë, është mjaft i rëndësishëm, për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë dhe vazhdon të japë ky institucion financiar ndërkombëtar, për çka kryeministri Haradinaj i falënderoi duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim edhe në të ardhmen.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se investimet e deritanishme të BERZH-it në Kosovë kanë dhënë rezultate.
Ai ka theksuar rolin e Qeverisë në hartimin e politikave të favorshme për zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit privat e që do të ndikonin direkt edhe në hapjen e vendeve të reja të punës dhe një perspektivë më të mirë ekonomike.
Koordinatori i BP6 (WB6) dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Gazmend Abrashi, theksoi se për më shumë se katër muaj Qeveria ka pasur angazhim konkret për evidentimin dhe seleksionimin e këtyre projekteve, të cilat kalojnë vlerën e 500 milionë eurove, derisa projektet vijnë nga sektori privat dhe ai publik dhe janë të shtrira në shumë Komuna të vendit.
Nga ana e tij drejtori i BERZH-it, Ove Jensen, ka vlerësuar angazhimin e kryeministrit Haradinaj dhe të qeverisë, duke i ofruar bashkëpunim të mëtutjeshëm, veçmas në lehtësimin e procedurave administrative për financimin e këtyre projekteve.