Kosova pritet ta ndryshojë Kushtetutën për të kryer vettingun, në mars opinioni i Komisionit të Venedikut

10 shkurt 2022 | 23:41

Reforma e nisur nga Ministria e Drejtësisë për realizimin e Vettingut, pritet të analizohet nga Komisioni i Venecias.

Për këtë shkak, raportuesit e këtij Komisioni qëndruan në Kosovë, ku u takuan me të gjithë akterët, e në muajin mars ky institucion pritet të dalë me opinion për Vettingun në Kosovë.

Ministria e Drejtësisë ka planifikuar që kjo reformë të bëhet me ndryshime kushtetuese, kërkesë kjo e mbështetur edhe nga shoqëria civile.

Temë kryesore e vizitës së raportuesve të Komisionit të Venecias në Kosovë, ishte reforma e Vettingut që ka nisur nga Ministria e Drejtësisë.

“Pyetjet kryesisht janë lidhur me koncept-dokumentin, opsionin 5 që e kemi rekomanduar, dhe draftin e amendamenteve kushtetuese”, ka deklaruar Genc Nimoni, shef i kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë.

Ministria është në pritje të rekomandimit të Komisionit të Venecias, që do të jepet në mars. “Kjo reformë nuk është politike, por synim që të kemi gjyqtarë e prokurorë të pavarur, që misionin e tyre e kanë të jenë të përgjegjshëm, e jo për pushtet me ato pozita”, ka shtuar Nimoni.

Organizatat nga shoqëria civile që kanë qenë pjesë e grupeve punuese për Vetting, vlerësojnë se ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për realizimin e këtij procesi. “Nuk duhet të ketë plan B për Ministrinë e Drejtësisë. Vettingu pa ndryshime kushtetuese nuk do të duhej të quhej fare Vetting dhe nuk do të mund ta arrijë qëllimin që IKD dhe shoqëria civile ka lobuar me vite të tëra”, Ehat Miftaraj nga IKD. Ndërkaq, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se “nëse e nisim një proces të Vettingut dhe vijmë deri te ajo që disa prokurorë e gjyqtarë nuk e kalojnë këtë proces dhe duhet me u largu nga sistemi, Kushtetuta jonë i ka të përcaktuara se kur mundesh me ua marrë mandatin”.

Prandaj sipas tij është e nevojshme të ndodhin këto ndryshime, përkundër se mund të bëjmë një Vetting, e vijmë në përfundim se disa gjyqtarë e prokurorë nuk e kanë kaluar atë proces, por nuk mund t’u merret mandati sepse kushtetuta e ndalon.

Ministria e Drejtësisë ka vendosur që Vettingu të bëhet me ndryshime kushtetuese, për çka kërkohen 2/3 në Kuvend, përfshirë edhe ato nga komunitetet./RTK/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arsenali ka arritur një fitore të madhe sonte në Molinoux…