Kosova pritet të furnizohet të martën me mbi 500 mijë doza të vaksinës ‘Pfizer’ nga ShBA-ja
Një kontingjent tjetër i vaksinave kundër koronavirusit do të arrijnë të martën në Kosovë.
Bëhet fjalë për mbi 500 mijë doza të vaksinës “Pfizer”. Lajmin ka konfirmuar Drin Podrimqaku, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.
“Po të martën do të arrijnë 515 970 doza të vaksinës ‘Pfizer’”, ka thënë Podrimqaku. Ai ka bërë me dije se këto vaksina janë donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Janë donacion i ShBA-së përmes mekanizmit të COVAX”, ka thënë Podrimqaku.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë në gusht të vitit 2021 kishin pranuar 35 mijë doza të vaksinës kundër Covid-19, pjesë e donacionit të SHBA-së për Kosovën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte thënë se këto doza e sjellin 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të Kosovës për vaksinimin, shkruan “Telegrafi”.
Kujtojmë se mars të vitit të kaluar, presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani i ishte drejtuar presidentit amerikan Joe Biden me kërkesën që ta ndihmojë Kosovën në sigurimin e vaksinave.
Më shumë se 1.7 milion doza të vaksinës kundër Covid-19 janë dhënë që nga fillimi i vaksinimit kundër Covid-19 në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vaksinimi mbetet mënyra më praktike dhe më efektive për t’u ballafaquar edhe më tej me pandeminë.