Kosova pritet të merr statusin e anëtarit të asocuar të organizatës së Frankofonisë
Sot kanë filluar punimet e Konferencës së Frankofonisë në Jerevan të Armenisë, në kuadër të së cilave ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka takuar kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Jacques Chagnon dhe sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare, Jaques Krabal.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit me vendet frankofone, ndërsa kryediplomati kosovar Pacolli, ka shprehur falënderim për mbështetjen për marrjen e statusit të anëtarit të asocuar të organizatës së Frankofonisë.
Pacolli është shprehur optimist se Kosova do të marrë statusin e anëtarit të asocuar në Organizatën e Frankofonisë në Samitin e Presidentëve.
“Kosova është e interesuar që të zhvillojë marrëdhënie të mira bashkëpunimi me vendet anëtare të Organizatës së Frankofonisë”, ka thënë Pacolli.
Po ashtu zëvendëskryeministri Pacolli i ka falënderuar bashkëbiseduesit për përkrahjen në UNGA në lidhje me aspiratën e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërkohë që ka ofruar mbështetjen e vendit tonë për nismat e organizatës Frankofone në nivel të nismave rajonale në përgjithësi.
Ndërsa presidenti Jacques Chagnon ka ofruar mbështetjen e plotë të organizatës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Pacolli gjatë ditës pritet të takojë delegacione të vendeve jonjohëse për të diskutuar për kërkesën për njohje si dhe për vendosjen e bashkëpunimit.
/Epoka e re/