Kosova publikon listën për ndeshjet kundër Polonisë
Selektori i Përfaqësues së Kosovës në hendboll, Agron Shabani, ka shpallur të martën listën e hendbollisteve të ftuara për ndeshjet me Poloninë.
Kosova e Polonia takohen në fazën e dytë të kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të këtij viti. Kombëtarja më e mirë pas dy ndeshjeve siguron biletën për në Botëror.
Ndeshja e parë luhet më Bielsko-Biala të Polonisë, më 6 prill nga ora 17:45. Ndërsa ndeshja e dytë është më 12 prill nga ora 20:15 në Prishtinë. Polonia ka përvojë të gjatë e të suksesshme në ngjarjet e mëdha të hendbollit. Rrjedhimisht është favorite. Por vashat “dardane” do të japin më të mirën për paraqitje të dinjitetshme dhe në kërkim të befasisë së madhe. Arritja në fazën e dytë kualifikuese është sukses i madh për Kosovën.
Në fazën e parë kualifikuese kemi kaluar Kombëtaren e Ishujve Faroe. Selektori Shabani është bazuar në grupin e lojtareve që arriti suksesin e madh duke eliminuar Ishujt Faroe. Kombëtarja grumbullohet më 2 prill në Prishtinë, ndërsa udhëtimi për në Poloni është më 4 prill.
Më 7 prill, vajzat tona kthehen në Prishtinë dhe vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen e dytë. Forma e lojtareve tona është e mirë dhe ky grumbullim pritet të shërbejë për hapin e madh tutje.