Kosova rreshtohet me Izraelin në kohë lufte, palestinezët rikonfirmojnë raportet miqësore me Serbinë
Izraeli është shumë mirënjohës ndaj Kosovës – shtetit me të cilin lidhi marrëdhënie diplomatike para pak kohësh – që deklaroi mbështetjen e tij të plotë për të, duke dënuar sulmin e Hamasit. Përvec shtetit hebre Prishtina zyrtare në këtë mënyrë po qëndron në anën e Perëndimit, ndërkohë që marrëdhëniet me Palestinën duken të pandreqshme. Palestina e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë dhe ambasadori i ri palestinez në Beograd para pak ditësh ia konfirmoi kryeministres serbe se ky qëndrim as që do të ndryshojë. Këtë e kishte kuptuar vetë ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla vitin e kaluar, kur e kishte takuar ministrin e Jashtëm palestinez, Riyad al-Malikin. Në përpjekjen “për ta thyer akullin”, ajo ishte bindur për lidhjen e fortë të Palestinës me Serbinë.
Izraeli është përfshirë në luftë që prej të shtunës në mëngjes, pasi grupi militant Hamas lëshoi mijëra raketa përtej kufirit. Alarmet u lëshuan në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv dhe mbi 1,000 persona u vrarë deri më tani. Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme ajrore ndaj caqeve në Rripin e Gazës.
Kosova reagoi shpejt. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e dënuan inkursionin e papritur, duke shprehur solidaritet me Izraelin, me të cilin shteti më i ri në Ballkan vendosi marrëdhënie diplomatike para tre vjetësh.
“Të tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael. Shprehim solidaritetin tonë të plotë me Presidentin Isaac Herzog, popullin dhe shtetin e Izraelit në këto orë të errëta. Mendimet tona janë me familjet e viktimave”, shkroi Osmani.
Më pas, Kurti: “Republika e Kosovës dënon pa mëdyshje sulmet e sotme terroriste kundër shtetit të Izraelit. Mendimet tona janë me popullin e Izraelit gjatë kësaj kohe tepër sfiduese. Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunës dhe qëndrojmë në solidaritet të palëkundur me të prekurit”.
Ai reagoi edhe një herë të hënën, duke u shprehur shumë i shqetësuar për krimet kundër civilëve dhe numrin e lartë të viktimave.
“Shumë i shqetësuar për krimet kundër civilëve dhe numrin në rritje të vdekjeve pas sulmeve të Hamasit në Izrael. Unë qëndroj me aleatët tanë, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të këtyre akteve, duke mbështetur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje kundër terrorizmit dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve”, shkroi Kurti.
Mbështetja e Kosovës nuk mbeti pa u vënë re në shtetin e fuqishëm aziatik.
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv e falënderoi Kurtin në shqip.
“Ju faleminderit shumë, Shkëlqesia Juaj z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës!”, shkroi Ziv të shtunën, duke shpërndarë reagimin e tij.
Mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës, ambasadorja izraelite e shprehu edhe dy ditët pasuese.
“Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e palëkundur nga miqtë tanë në Kosovë. Mbështetja juaj ka një rëndësi të madhe për ne në këto ditë jashtëzakonisht të errëta dhe të vështira. Ndërsa situata në Izrael vazhdon të zhvillohet, zemrat dhe mendimet tona janë me familjet dhe komunitetet në rajonin jugor”, shkroi Ziv të dielën.
Ajo tha dje se janë prekur nga mbështetja që e tregoi Kosova këto ditë.
“Jemi thellësisht të prekur e mirënjohës nga mbështetja e palëkundur e te shkëlqyeshme që kemi marrë nga miqtë tanë në Kosovë, duke përfshirë partitë në pushtet dhe në opozitë, si dhe nga njerëzit nga të gjitha shtresat kemi marrë mesazhe mbështetëse”, u shpreh ambasadorja në një intervistë për RTK-në.
Marrëdhëniet Kosovë-Palestinë
Për Palestinën, Kosova është Serbi dhe çdoherë kur i jepet rasti, vendi aziatik përsërit se ky qëndrim s’do të ndryshojë.
Këtë e kishte kuptuar qartë vitin e kaluar edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila në mars e kishte takuar në Turqi ministrin e Jashtëm palestinez, Riyad al-Malikin, në një përpjekje “për ta thyer akullin”, siç kishte thënë vetë.
Ndërsa i kishte treguar atij se qëndrimi i Kosovës ishte “shumë miqësor”, Gërvalla tregonte se si ishte bindur për lidhjen e fortë të Palestinës me Serbinë dhe se kishte parë që nuk kishte “interesim të dyanshëm” për t’i ndryshuar marrëdhëniet.
“Ka një lidhje të hershme, për mua të pakuptueshme mes Palestinës dhe Serbisë, e cila rrjedh nga mekanizmat e të painkuadruarve dhe si e tillë është krijuar e ka mbetur që nga koha e Titos dhe kjo lloj nostalgjie dhe marrëdhëniet e mira kur vetë Serbia e ka shkatërruar ish-Jugosllavinë për mua është e pakuptimtë”, shprehej kryediplomatja në një intervistë në maj të vitit të kaluar.
Ambasadori i Palestinës në Beograd, Mohammed Nabhan kishte reaguar shpejt për t’i siguruar serbët se ai takim “nuk do të thotë asgjë për ne dhe nuk nënkupton ndryshim pozicioni”. Ai thoshte se paralelja ndërmjet Gazas dhe Kosovës do të ishte e paarsyeshme pasi thoshte se “Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë, ndërsa Gaza dhe Bregu Perëndimor kurrë nuk kanë qenë pjesë e Izraelit”.
Pasi Kosova dhe Izraeli në shkurt të vitit 2021 formalizuan vendimin historik për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, dhe shtimin e një ambasade në Jerusalem, Palestina reagoi ashpër.
Ambasadori palestinez në Beograd paralajmëronte se do të ndërmerrnin hapa “që nuk do t’i pëlqejnë Kosovës”.
“Sigurisht se unë jam në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Palestinës dhe duke filluar nga sot, ne do të ndërmarrim hapa që nuk do t’i pëlqejnë Kosovës, në nivelin e Ligës Arabe dhe Bashkëpunimit Islamik. Kosova nuk është anëtare e asnjërës prej këtyre organizatave, por shumë prej tyre e kanë pranuar të ashtuquajturën Kosovë, dhe do të kërkojmë nga ato vende që tash ta shqyrtojnë vendimin e tyre për njohjen e Kosovës”, shprehej Nabhan. Paralajmëronte se vendet arabe do t’i tërhiqnin njohjet e tyre për Kosovën.
Mohammed Nabhan, i cili kishte studiuar në Beograd, duke shërbyer prej vitit 2006 si ambasador i Palestinës atje, e la këtë vit kryeqytetin e Serbisë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kur e përshëndeti në fund, e pati falënderuar “për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në marrëdhëniet e ngushta ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve gjatë mandatit të tij afatgjatë”.
Pas tij në Beograd shkoi si ambasador Mohamed Al Namura, për t’i siguruar edhe ai serbët – sikur paraardhësi i tij – se Palestina s’do ta njohë Kosovën. Në gusht, në një takim me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq, ai ka thënë se “Palestina e konsideron Serbinë vend mik” dhe se “mosnjohja e Kosovës është një qëndrim nga i cili nuk do të devijojmë”.
Ambasadorin e ri palestinez, më 6 tetor e priti në takim edhe kryeministrja e Serbisë, ku kishin folur për “marrëdhëniet tradicionalisht të mira dhe miqësore të Serbisë e Palestinës”, siç shkruhej në titullin e komunikatës së lëshuar për shtyp nga zyra e Ana Bërnabiq.
“Ajo shprehu mirënjohjen e saj ndaj Palestinës për qëndrimin parimor dhe mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë dhe respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Ambasadori i Palestinës përcolli përshëndetjet e ngrohta të kryeministrit të atij vendi, Mohammad Shtayyeh, dhe konfirmoi qëndrimin parimor lidhur me mbështetjen ndaj Serbisë në nivel ndërkombëtar në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial”, u tha në komunikatë.
Megjithatë, në Kosovë, për një pjesë të qytetarëve përkatësia fetare është e rëndësishme në pikëpamjen e tyre mbi konfliktin Izrael-Palestinë. Disa tërheqin paralele mes vuajtjeve të kosovarëve nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit në vitet e ’90-a dhe vuajtjeve të palestinezëve. Me siguri, e bëjnë edhe duke harruar, duke e shpërfillur ose pa e ditur faktin se në fund të vitit 1999, kur lufta në Kosovë kishte pak muaj që kishte përfunduar, Palestina e ftonte atëherë Kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq të shkonte për të festuar Krishtlindjet Ortodokse bashkë me ta në Betlehem në janar të vitit 2000, ndonëse ai akuzohej për krime makabre të luftës. Në anën tjetër, Qeveria e atëhershme izraelite kërcënonte se Millosheviqi do të arrestohej në rast se do të zbarkonte aty, siç dëshmon edhe një shkrim i publikuar në atë kohë nga gazeta amerikane, SFGATE.
Në Prishtinë janë mbajtur disa herë marshe në mbështetje të Palestinës, ashtu siç ka pasur edhe grumbullime më të vogla të njerëzve në mbështetje të Izraelit.
Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas e kishte theksuar përherë se vendi i tij nuk do ta njihte Kosovën. Në një intervistë për BIRN-in në vitin 2015, Abbas thoshte se kosovarët janë “njerëzit tanë”, të cilët, megjithatë, thoshte se duhej t’i bëjnë vetë zgjidhje vetes.
“Por, sepse ne kemi problemet tona, ne shpresojmë se ata do të gjejnë një zgjidhje për veten e tyre, pa ndërhyrjen tonë”, shprehej Abbas.