Kosova s’duhet të bëhet bllokuese e projekteve që vijnë nga ShBA-ja
Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se më nuk do të ketë dialog që konsiston në normalizimin e marrëdhënieve, por do të punohet për zgjidhjen politike të çështjes kyçe, që normalizimit t’i vihet kapak me njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se është edhe një variant tjetër më i pranueshëm për Serbinë, që Kosovës t’i hapet rruga për anëtarësim në OKB edhe pa njohjen formale nga Serbia, sipas modelit të koekzistimit të dy shteteve gjermane në vitet ’70, që fillimisht edhe ka shërbyer si model për ta filluar dialogun Kosovë – Serbi.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Maliqi ka theksuar se te faktorët kyçë ndërkombëtarë është pjekur ideja për të bërë një shtytje të shpejtë të asaj që quhet ‘arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe të obligueshme mes dy vendeve’.
Sipas tij, Kosova nuk do të duhej të ishte bllokuese e projekteve që vijnë nga ShBA-ja. Maliqi ka folur edhe për formimin e qeverisë, duke thënë se çështja e presidentit nuk e ka aktualitetin e menjëhershëm.
“Epoka e re”: Z. Maliqi, Vetëvendosja dhe LDK-ja kanë përfunduar takimet për formimin e qeverisë së re dhe në ditët në vazhdim pritet të ndodhë nënshkrimi i marrëveshjes. Si e shihni funksionimin e këtij koalicioni qeverisës?
Maliqi: Nëse nisemi nga procesi i harmonizimit të programit qeverisës të koalicionit Vetëvendosje – LDK, që është një risi e madhe dhe inkurajuese, mua më duket se nuk do të duhej të kihet frikë nga funksionimi i qeverisë së re. Në mediat tona gjatë bisedave për harmonizimin dhe strukturimin e koalicionit kemi pasur shumë spekulime dhe kërkime (shpikje) të pikave rreth të cilave paralajmërohej dhe dëshirohej plasja e sherrit, ose përsëritja e shantazhimeve joparimore rreth ndarjes së pushtetit çfarë i kemi parë me krijimin e qeverive të mëhershme, por nuk ndodhi ashtu. Kuptohet, deri te formalizimi i marrëveshjes duhet pritur edhe disa ditë dhe mund të ketë ndonjë element diskutabil, për shembull rreth emrave të përveçëm të ministrave dhe zëvendësve të tyre, por jo ndonjë përplasje të pariparueshme. Nëse programi që ende nuk e kemi parë, bazohet në parime dhe pushteti nuk ndahet më si më parë në feude ministrore (madje krijohej përshtypja se mbanin distancë lojaliteti ndaj kryeministrit, duke preferuar të konsultohen me ‘kryeministrin’ në hije të partisë që i ka deleguar), krijohet ambienti për funksionim normal të qeverisë. Kuptohet, duke ditur se këto parti kanë dallime mes vete dhe se programi bazohet në kompromise, gjithnjë do të ketë tensione dhe mospajtime rreth interpretimeve të ndryshme të programit tek administrimi konkret i çështjeve të ndjeshme. Për këtë qeveria në ardhje mbase nuk ka përvojë menaxhuese dhe mund të kërkojë ndihmë nga vendet me demokraci të avancuar rreth mekanizmave menaxhues për koalicionet çfarë është ky i yni. S’është marre të mësojmë prej tyre, për shembull se si funksionon në praktikë koalicioni aktual i të djathtës dhe të majtës në Gjermani. A ka mekanizma specifikë dhe trupa koordinues që trajtojnë mospajtimet e vogla dhe të mëdha mes partnerëve të koalicionit?
“Epoka e re”: A do të jetë problem ndarja e pushtetit, në veçanti posti i presidentit të vendit?
Maliqi: Mendoj se çështja e presidentit nuk e ka aktualitetin e menjëhershëm, ndonëse po thuhet se do të jetë pjesë e marrëveshjes, fillimisht parimore. Ka pasur zëra që kërkonin shkarkimin e presidentit Thaçi, por mendoj se kjo nuk do të ndodhë, pos nëse vetë presidenti nuk bëhet pengesë për qeverisjen e vendit. Mua më duket se presidenti Thaçi nuk do ta bëjë këtë duke pasur përvojën e keqe dhe dëmet e ‘opozitarizmit’ të presidentit Ilir Meta në Shqipëri.
“Epoka e re”: Cilat mendoni se do të jenë anët e forta dhe të dobëta të kësaj qeverie?
Maliqi: Është vështirë të bëhen analiza të tilla derisa nuk funksionalizohet qeveria, e shohim përbërjen e saj dhe zotimet konkrete që i bën rreth prioriteteve. Mund të flasim tani për mandatin që e ka marrë dhe shpresat që i ka ngjallur rreth ndryshimeve. Përparësia e qeverisë Kurti është se sjell një rifreskim të konsiderueshëm të lidershipit, më i ri për nga mosha, gjithsesi më i arsimuar dhe, shpresojmë, edhe profesionalisht më i përgatitur për punët që i presin. Ky rifreskim mund të sjellë entuziazëm dhe energji për përmbushjen e mandatit, por zakonisht kjo nuk është e mjaftueshme. Drejtuesit e rinj mund të kanë ide të mrekullueshme dhe vullnet të madh për realizimin e tyre, por duhet të janë edhe realistë, sepse shumë gjëra rreth shtetndërtimit në këto 12 vjet janë bërë mbrapsht, si improvizime, janë vendosur si staf permanent në institucionet edhe njerëz të paaftë, ka zinxhirë të tërë të posteve të rëndësishme politike, ekonomike etj., që nuk mund të zëvendësohen dhe riparohen ose aftësohen me lehtësi, ose edhe pa probleme me ligjet që kufizojnë shkarkimet e tyre. Papërgjegjësitë e qeverive të mëhershme, nepotizmi, punësimet me kritere partiake, papërgatitja dhe paaftësia e kuadrove, pastaj edhe shpenzimet e pakontrolluara të buxhetit, borxhet e papaguara që i kanë lënë pas vetes, arbitrariteti me të cilin i mbushnin bordet e institucioneve dhe agjencive shtetërore dhe publike, të gjitha këto do të reflektohen në punën e qeverisë së re, te secila ministri. T’i ndreqësh gabimet trashanike të mëhershme merr shumë kohë, do të ketë edhe rezistenca institucionale dhe ligjore. Kjo është një sfidë e madhe për liderët e rinj, duke u nisur nga vetë kryeministri i cili shpesh jepte premtime të nxitura për shkarkime dhe emërime, që proceduralisht nuk bëhen aq lehtë.
“Epoka e re”: Sa do të jenë sfiduese për qeverinë: procesi i dialogut me Serbinë, përmirësimi i gjendjes në vend si dhe përmirësimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare?
Maliqi: Dialogun me Serbinë mendoj se tash e tutje duhet ta quajmë negociata politike për marrëveshje finale. Nuk do të kemi më dialog që konsistonte në normalizimin e marrëdhënieve dhe lehtësimin e komunikimit, tejkalimin e pengesave burokratike dhe të tjera me qëllim që të lehtësohet jeta e qytetarëve dhe të realizohen të drejtat e ndryshme. Tani do të punohet për zgjidhjen politike të çështjes kyçe, që normalizimit t’i vihet kapak me njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë ose, si një variant përkohësisht më i pranueshëm për Serbinë, që Kosovës t’i hapet rruga për anëtarësim në OKB edhe pa njohjen formale nga Serbia, sipas modelit të koekzistimit të dy shteteve gjermane në vitet ’70, që fillimisht edhe ka shërbyer si model për ta filluar dialogun Kosovë – Serbi. Mendoj se te faktorët kyçë ndërkombëtarë është pjekur ideja për të bërë një shtytje të shpejtë të asaj që quhet ‘arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe të obligueshme mes dy vendeve’. Së voni ShBA-ja e ka vendosur në agjendën e vet për rajonin dhe kjo nismë nuk mund të neglizhohet nëse, siç po thuhet, nga Uashingtoni i kemi paralajmërimet se nuk duhet të humbet ky shans, sepse amerikanët mund ta humbin interesin që edhe më tej të merren me ‘punët e pakryera të Evropës. Si edhe në rastin e disa nismave më të hershme të ShBA-së, në Rambuje ose te procesi i Vjenës, Kosova nuk do të duhej të ishte bllokuese e projekteve që vijnë nga ShBA-ja. Qeveria Haradinaj me kokëfortësi dhe shkurtpamësi nuk e pranoi testimin e këtij opsioni duke pezulluar taksën, me çka u dëmtuan raportet tona me aleatët kryesorë perëndimorë. Sot situata është më e komplikuar, por duhet të kihet parasysh se edhe nëse negociatat e riprojektuara nuk sjellin rezultatet, duhet t’i ruajmë raportet e afërta me ShBA-në dhe fuqitë evropiane që e kanë njohur Kosovën.
“Epoka e re”: Çfarë pritjesh keni nga legjislatura e shtatë e Kuvendit si dhe përballja e qeverisë Kurti me opozitën PDK – AAK?
Maliqi: Kosova nuk është pa përvojë në tranzicionin e pushtetit, dhe mirë është që koalicionin në ardhje do ta kemi kombinim të një force aktiviste që e ka filluar rrugëtimin politik me ide revolucionare dhe radikalizëm (të zbutur në ndërkohë) me partinë më të vjetër e me përvojë më të madhe, pasi që edhe ajo e ka nisur rinovimin sinjifikativ me kuadro. Nëse LV dhe LDK ndërtojnë raport të shëndoshë mes vete rreth çështjeve madhore, kjo do të kontribuojë edhe në shëndoshjen e atmosferës së përgjithshme në Kuvend, përfshirë edhe opozitën. PDK-ja, tani në opozitë, është treguar shembullore me rastin e humbjes së pushtetit. Ka gjasa se ajo për çështjet madhore që na presin do ta mbajë qëndrimin e opozitës konstruktive, çka do t’i ulte shqetësimet nga pasojat e mosunitetit rreth asaj se çka mund të sjellë finalja e negociatave me Serbinë. Kushdo që do t’i udhëheqë negociatat, e di se fjalën e fundit për ratifikimin e marrëveshjes e ka Kuvendi. Besoj se kjo legjislaturë e Kuvendit nuk do të jetë trup i manipulueshëm për votime joparimore dhe dëmtuese për Kosovën, por një Kuvend i përgjegjshëm. Nga ana tjetër, zgjedhjet e 6 tetorit kanë krijuar një standard të ri për llogaridhënie të pushtetit në përfundim të mandatit, kështu që PDK-ja, tani në opozitë, me apo pa AAK-në në krah, nuk do t’ia fal papërgjegjësitë dhe dështimet e qeverisë së re për trajtimin e çështjeve për të cilat ka dhënë premtime të mëdha. Përkundrazi, do ta survejojë çdo fjalë dhe veprim të saj. Duke e ditur karakterin e tij të autoritetit imponues që nuk zmbrapset lehtë nga idetë dhe synimet e veta, Albin Kurti si kryeministër nuk do ta ketë punën aspak të lehtë as me partnerin e koalicionit e as me opozitën. Ai duhet ta kuptojë se pushteti i tij është i ndarë, i ka vetëm pak më shumë se 1/3 e votës së sovranit, sepse 1/3 tjetër është e LDK-së, kurse 1/3 e pak më shumë do të jetë dispozitë e opozitës. Mund t’i ndodhë që ndonjëherë ta ketë më të lehtë ballafaqimin me argumente parimore me ndërkombëtarët sesa me faktorët vendorë vendimmarrës. Po, nejse, kjo është sfida të cilën e ka synuar dhe e ka fituar me meritë, dhe tani duhet të tregohet se e ka kalibrin e politikanit të zot në praktikë.
(Shqipe HETEMI)