Kosova sërish e mposhti Bullgarinë
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë miqësore kundër Bullgarisë, e cila u zhvillua në Qendrën Stërvitore “Boyana” në Sofje.
Edhe në ndeshjen e sotme vashat e drejtuara nga përzgjedhësja Afërdita Fazlija, e mbizotëruan plotësisht lojën, ndonëse të parat në epërsi kaluan bullgaret në minutën e 8-të. Megjithatë, ky gol i hershëm i vendasve nuk e zmbrapsi dëshirën e futbollisteve tona për të dëshmuar cilësi, sidomos në pjesën e dytë, ku u treguan tejet efikase.
Shifrat i barazoi Flaka Asllanaj, në minutën e 49-të, kurse Kosovën në epërsi e kaloi Kaltrina Biçkaj, me golin e shënuar në minutën e 60-të. Ndërkohë, për fitoren bindëse të Kosovës u përkujdesen Besiana Reçica dhe Leonora Ejupi, të cilat shënuan nga një gol në minutat 71, përkatësisht 78-të. Këto dy fitore pa dyshim e rrisin entuziazmin tek vashat tona, derisa për përzgjedhësen Fazlija këto dy miqësore shërbejnë për ta bërë sa më kompakte skuadrën para fillimit të kualifikimeve për Kampionatin Evropian që do të nisin në muajin gusht.