Kosova s’është në rend dite në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të KiE-së
Sot do të mbahet mbledhja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Kosova deri më tani nuk është rend dite.
Kosova nuk do të jetë në rend dite pasi Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që Kosova të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, dje njoftoi se i ka dërguar një letër Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me anë të së cilës u zotua se deri në fund të majit, Kosova do ta përpilojë një draft-statut të Asociacionit.
Kjo çoi në përplasje me presidencën, ku në reagimin e tyre u tha se për këtë letër s’ka pasur koordinim në mes të krerëve të shtetit.
“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”.
“Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione”, u tha në reagimin e presidencës.